Lufta në Ukrainë, Blinken: Kina po mendon ta furnizojë Rusinë me armë
Lexohet për: 2 min.
vv
1 vit më parë
Linku u kopjua

Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken ka deklaruar se Kina po mendon ta furnizojë Rusinë me armë për luftën në Ukrainë.

Blinken i ka thënë CBS News se kompanitë kineze tashmë po ofrojnë "përkrahje jo vrasëse" për Rusinë - dhe informacionet e reja sugjerojnë se Pekini mund të ofrojë edhe armë për Rusinë.

Sipas Blinken, ky përshkallëzim do të nënkuptonte "pasoja të rënda" për Kinën.

Kina ka mohuar raportet se Moska ka kërkuar pajisje ushtarake.

Presidenti kinez, Xi Jinping është një aleat i presidentit rus, Vladimir Putin dhe ende nuk e ka dënuar pushtimin e Rusisë - por ai ka kërkuar të mbetet neutral në konflikt dhe ka bërë thirrje për paqe.

Blinken ka folur për CBS pasi është takuar me kryediplomatin kinez, Wang Yi, të shtunën në Konferencën e Sigurisë në Mynih.

Ai ka deklaruar se gjatë takimit ai ka shprehur "shqetësime të thella për mundësinë që Kina t’i ofrojë Rusisë përkrahje me materiale vdekjeprurëse”. Blinken nuk ka treguar se çfarë informacioni ka marrë SHBA në lidhje me planet e mundshme të Kinës, por ka potencuar se Kina mund t’i ofrojë Rusisë armatim.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë sanksionuar një kompani kineze që dyshohet se i ka ofruar imazhe satelitore të Ukrainës grupit mercenar Wagner, i cili furnizon Rusinë me mijëra luftëtarë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025