Me iluminizmin apo me epokën e arsyes kuptohen pikëpamjet filozofike, shkencore dhe racionale, çlirimi nga besëtytnitë dhe besimi në tolerancën fetare, në një pjesë të mirë të Evropës, në shekullin XVIII.
Shënim: Kondorset (Condocet) ishte i vetmi filozof i shquar që luajti rol në ngjarjet e Revolucionit. Më 1793 u dënua prej Gjykatës Revolucionare. Për t’i shpëtuar gijotinës, helmoi veten.
* * *
* * *
Personalitete të njohura të iluminizmit që u kanë takuar masonëve - Historianët kanë debatuar shumë për të kuptuar se në çfarë mase rrjeti sekret i masonerisë ka luajtur rol në iluminizëm. Ata pajtohen se personalitete të njohura të iluminizmit u kanë takuar masonëve. Midis tyre filozofi dhe iluministi francez Deni Didëro (Denis Diderot, 1713-1784), juristi, sociologu, mendimtari politik dhe filozofi francez Monteskjë (Charles Louis de Secondat Montesquieu, 1689-1755), shkrimtari, historiani, publicisti dhe filozofi francez, Volteri (emri i vërtetë François Marie Arouet, 1694-1778), poeti dhe kritiku anglez, Aleksandër Poup (Alexander Pope, 1688-1744), prozatori dhe poeti anglez, politikan Whig, bir i Sir Robert Volpëul-it, Horis Volpëul (Horace Walpole, 1717-1797), shtetari Whig, i pari kryeministër britanik Sir Robert Volpëul (Sir Robert Walpole, 1676-1745), kompozitori austriak Volfgang Amadeus Mocart (Johann Chrysostom / Wolfgang Amadeus Mozart, 1756-1791), shkrimtari gjerman Johan Volfgang Gëte (Johann Wolfgang Goethe, 1749-1832), Mbreti i Prusisë Frederiku II, i quajtur Frederiku i Madh (Friedrich II, 1712-1786), politikani, shpikësi dhe eseisti amerikan Benxhëmin Franklin (Benjamin Franklin, 1706-1790) dhe ushtaraku e burrë shteti amerikan, president i parë i ShBA-së Xhorxh Uashington (George Washington, 1732-1799).
Historiania amerikane, njohëse e shquar e iluminizmit dhe e masonerisë, Margaret Jakob (Margaret Jacob, 1943) thotë se masoneria në epokën e iluminizmit ka përfshirë rrjetin ndërkombëtar të njerëzve të të njëjtit mendim, të cilët shpeshherë kanë qenë në fshehtësi në lozhat e veta dhe i kanë përcjellë programet rituale. I kanë nxitur idetë e iluminizmit dhe e kanë lehtësuar përhapjen e tyre në Britani, në Francë dhe nëpër vende të tjera.
Masoneria, si kredo sistemore me mite të veta, me vlera dhe me sistem ritualesh ka lindur në Skoci rreth vitit 1600. Së pari nisi të përhapet në Angli. Pas kësaj, gjatë shekullit XVIII, nisi të përhapet në tërë kontinentin.
Shënim: Gilde, gjermanisht – korporatë, esnaf. Në mesjetë, në Evropën Perëndimore, gildët nënkuptojnë shoqëritë e tregtarëve, të veprimtarëve ekonomikë.
* * *
Shënim: Jakobitët – Përkrahës skocez apo anglez i familjes mbretërore në mërgim Stuart. Jakobitët e morën emrin nga Jakobus (Jacobus), emri latinisht i mbretit Xhejmsi II (James II), të cilin e kishin hequr nga froni më 1688. Fuqinë e kishin te fiset e Malësisë së Skocisë, besnikëria e të cilëve ishte personale; dobësia e jakobitizmit qëndronte në faktin se nuk arriti të fitonte mbi torët në Angli, që do ta kishin bërë një lëvizje më të fuqishme dhe më të rrezikshme. Jakobitët patën peshë politike në periudhën e viteve 1699-1745. Pas vitit 1745, qeveria i shtypi fiset dhe jakobitizmi mbeti pa mbështetje politike të fuqishme.
* * *
Masonët kanë treguar prirje për fshehtësi dhe kanë krijuar një sërë ritualesh dhe aktesh të reja. Shoqëri të ngjashme të cilat pjesërisht e kanë imituar masonerinë, u themeluan në Francë, në Gjermani, në Suedi dhe në Rusi. Një prej shembujve kanë qenë “Iluminatet” të themeluara në Bavari në vitin 1776. Ata kanë marrë shumë karakteristika të masonëve, por kurrë nuk kanë qenë pjesë e rrjetit të tyre. Iluminatët* kanë qenë grup politik i hapur, ndërsa shumica e lozhave të masonëve, nuk kanë qenë të tilla.
Shënim: Iluminatët – Pjesëtarë të sekteve të ndryshme në kohë të ndryshme. Në shekullin XV në Spanjë Aluminados; në shekullin XVII në Francë Illuminés të cilët konsideronin se përpos njohjes racionale, ekziston edhe njohja duke u bërë i ndritur nga fuqitë madhore; murgjit të cilët në shekullin XVIIIkanë përhapur arsimimin popullor; po ashtu, pjesëtarë të shoqërisë sekrete për përhapjen e ideve liberale në të njëjtën epokë, të ngjashëm me muratorët e lirë.
Sipas profesoreshës Margaret Jakob, lozhat e masonëve për punët publike kanë krijuar model privat. Ata e kanë “rikonstruktuar politikën dhe kanë vendosur formë kushtetuese të vetëqeverisjes, në përputhje me kushtetutat dhe me ligjet, me zgjedhjet dhe me përfaqësuesit”.
Me fjalë të tjera, mikroshoqëria e ndërtuar brenda lozhave përbënte modelin normativ për shoqërinë në tërësi. Kjo ka qenë e theksuar sidomos në hapësirën evropiane: Kur në vitin 1730 e më pas janë themeluar lozhat e para, realizimi prej tyre i idealeve britanike, është parë si kanosje ndaj autoritetit shtetëror. Për shembull lozhën e Parisit, në vitin 1720 e më pas e kanë përbërë jakobitët anglezë në ekzil (internim). Madje masonët në mbarë Evropën haptazi kanë anuar kah iluminizmi në përgjithësi. Në lozhat franceze për shembull, fjalia “të bëhem i ndritur, i kërkoj të ndriturit” (të bëhem arsimuar, i qytetëruar, i shkolluar, i edukuar, i emancipuar, i ditur) ka qenë pjesë e ritualeve nismëtare të tyre. Lozhat britanike e kishin caktuar si detyrë “t’i iniciojnë të pandriturit”.
Filozofi dhe historiani gjerman, njëri ndër më të mëdhenjtë e shekullit XX, Rajnhart Koselek (Reinhart Koselleck, 1923-2006) pohon se “në kontinent ekzistojnë dy struktura shoqërore që i kanë vënë vulë vendimtare epokës së iluminizmit: Res publica letteraria* dhe lozhat e masonëve”. Profesori skocez Tomas Mank (Thomas Munck) thotë: “Edhe pse masonët i kanë nxitur kontaktet ndërkombëtare dhe ndër-shoqërore që në thelb kanë qenë joreligjioze dhenë përputhje me vlerat e iluminizmit, ata vështirë mund të përkufizohen si një rrjet i rëndësishëm radikal dhe reformist”. Si duket, mendimtarëve të iluminizmit, shumë vlera të masonëve u kanë pëlqyer tej mase. Deni Didëro (Denis Diderot) në trilogjinë filozofike-fantastike “Ëndrra e d’Alamberit” (Le reve de d’Alembert, 1769) shqyrton lidhjen ndërmjet idealeve të masonëve dhe iluminizmit, duke e studiuar masonerinë si mënyrë e përhapjes së pikëpamjeve iluministe. Historiania Margaret Jakob (Jacob)thekson rëndësinë e masonëve në inspirimin e tërthortë të mendimit politik iluminist.
Shënim: The Republic of Letters (Respublica literaria) – ka qenë bashkësi intelektualësh relacionesh të gjata që është shfaqur kah fundi i shekullit XVII dhe ka vepruar gjatë tërë shekullit XVIII në Evropë dhe në Amerikë. Nxiste komunikimin ndërmjet intelektualëve apo filozofëve të epokës së iluminizmit.
Në kuptimin negativ, historiani francez social dhe i kulturës Daniel Roshe (Daniel Roche, 1935-) e mohon pohimin se masoneria e ka nxitur egalitarizmin. Ai thotë se “barazia e vërtetë e lozhave ka qenë elitare”, kështu që i kanë tërhequr personat me status shoqëror të njëjtë. Prania e fisnikeve në lozhatadoptuese të Francës, që janë themeluar në vitin 1780 e më pas, është bërë në saje të lidhjeve të afërta të atyre lozhave me shoqërinë aristokrate.
Masonët, Revolucioni francez dhe Revolucioni amerikan – Armik i madh i masonerisë ka qenë Kisha Katolike e Romës, kështu që në vendet me shumicë katolike të madhe, si për shembull në Francë, në Itali, në Spanjë dhe në Meksikë, midis kishës reaksionare – siç e quan historiani britanik-polak Norman Dejvis (Norman Richard Devies, 1939 -) – dhe masonerisë së ndritur, kanë ndodhur shumë beteja politike të vrazhda.
Edhe pse dihet se Benxhemin Franklini (Benjamin Franklin) dhe Xhorxh Uashingtoni (George Washington) vërte kanë qenë masonë aktivë, historianët amerikanë e kanë zvogëluar rëndësinë e masonerisë, si shkak i Revolucionit amerikan, për arsye se urdhri i masonëve ka qenë apolitikë dhe ka përfshirë në radhët e veta, edhe patriotët edhe armiqtë e tyre luajalistë.