Lladrovci: Sahiti ishte bashkëluftëtar i orëve të para të Adem Jasharit – s’kemi mundur të bëjmë mjaftueshëm për të
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka marrë pjesë në homazhet që po bëhen në palestrën “Ilaz Kodra” për t’i dhënë lamtumirën e fundit bashkëluftëtarit të Adem Jasharit, Sahit Jashari.
Lladrovci u shpreh se Sahit Jashari ishte njëri nga bashkëluftëtarët e orëve të para të Adem Jasharit, e të cilin tha se e ka njohur në vitet e ’90-ta.
“Isha në Londër, sapo kam zbritur në Aeroportin “Adem Jashari” e kam marrë lajmin se ka ndërruar jetë njëri nga bashkëluftëtarët tanë, bashkëveprimtarët tanë, Sahit Jashari, një bashkëluftëtar i Adem Jasharit i orëve të para. Sahitin e kam njohur në vitet ’90, bashkë në kohën kur e kam njohur edhe Adem Jasharin, Hamzën dhe bacën Shaban dhe gjithë familjen Jashari, i kam njohur edhe Sahitin e Musën. Me Sahitin kam shumë angazhime dhe aktivitete deri në fillimet e luftës kur kemi marrë pjesë në Skenderaj në aksionin e parë që e quajmë ne por që nuk është kryer pasi nuk na ka ardhur një prej komandantëve më të tmerrshëm serb që ka qenë aty”.
Tutje, Lladrovci tha për Sahit Jasharin se përveçse ka qenë vet i plagosur, i ka edhe 13 anëtarë të familjes së ngushtë të vrarë, teksa shprehu keqardhje se s’kanë bërë mjaftueshëm për shëndetin e tij.
Sahiti ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm. Përveç se ka qenë vet i plagosur, i ka edhe 13 anëtarë të familjes së ngushtë të vrarë. Më vjen shumë keq që s’kemi mundur të bëjmë mjaftueshëm për të, për shëndetin e tij, por ai do të jetë një nga gurëthemelet e lirisë dhe pavarësisë sonë.
Pjesë e homazheve ishte edhe kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, të cilin Sahit Jasharin e quajti si krahun e djathtë të komandantit legjendar, Adem Jashari, qysh prej viteve të ’90-ta.
Tutje, Gucati tha se Sahit Jasharin e ka njohur personalisht, e të cilin e përshkroi edhe si njeri që ka ditur t’u japë kurajo bashkëluftëtarëve gjatë kohës së luftës.
“Sahitin e kam njohur personalisht, ka qenë shumë i dashur me shokë e bashkëluftëtarë. Sahiti ka qenë edhe humoristi, ka ditur që t’u japë kurajo në luftë shokëve. Sahiti nuk ka qenë njeri që ka ditur të rrijë mbrapa vijës së fronit e t’i qes shokët përpara, por Sahit Jashari ka qenë gjithmonë aty ku e ka lyp vendi, ku e ka lyp pushka, Sahiti ka qenë i pari gjithmonë. Sahiti kur është bërë masakra në Prekaz, ishte jashtë vendit për shërim dhe si ka dëgjuar për rastin, brenda tri ditëve ka mbërritur në Kosovë dhe ia ka filluar luftës pa ndërprerë. Kështu që, Sahit Jashari është ikonë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Gucat.
Për kryeshëndosh te Jasharët shkuan edhe shumë qytetarë, ku njëri nga ta, Shaban Tahiri, tha se Sahit Jashari vdiq në datën kur ai me shokët e tij e çliruan Kosovën.
“Nuk kam fjalë më të mëdha për të, vdiq bash në datën kur është çliruar Kosova. Përjetësisht nuk ka vdek, gjithmonë do të jetë i pavdekshëm. Njeri i thjeshtë, ideal. Për çdo mëngjes çaj kemi pi”, tha ai.
E, një qytetar tjetër, Naser Meha, tha se Sahit Jashari, bashkë me komandatin legjendar Adem Jasharin e Hamëz Jasharin e nisën së pari çështjen kombëtare.
“Sahiti bashkë me Ademin e Hamzën kanë ngrënë bukë në odën tonë. Ka qenë luftëtarë i fortë, krenohemi me të, ka humbur shumë Kosova që ka vdekur. Kemi përjetuar lajmin shumë rëndë. ka qenë njeri i mirë, i fjalës, i besës, ka punuar për atdhe shumë edhe para e pas lufte”, tha Meha për KosovaPress.