Me mbështetje për qytetarët për të parandaluar vetëvrasjen Qendra e thirrjeve telefonike “Linja e Jetës”, do të shkurtojë orarin për shkak të mungesës së mjeteve financiare.
Edhe pse me orar të shkurtër kjo qendër deri në tetor të këtij viti do të mund të vazhdojnë t’iu dalë në ndihmë qytetarëve me donatorin e vetëm të Ambasadës Zvicerane, pasi ajo gjermane është tërhequr nga mbështetja.
“Prej 2019 deri tash ne kemi një donator serioz, pasi disa janë tërhequr mbas një kohe sikurse Ambasada gjermane për shkak se ata nuk e financojnë një projekt më shumë se një herë. Jashtë këtyre kemi pasur aty-këtu ndonjë grant sa për ta shtyrë funksionimin tonë, por nuk ka pasur asgjë konkrete që të na mundësojë që të kryejmë punën si duhet. Për shkak të kësaj, na po rrezikohemi që sot të mbyllemi. Kemi fonde deri në tetor që kemi marrë më herët dhe nëse nuk marrim ndonjë ndihmë financiare tash ose nëse nuk marrim ndihmë financiare tash prej institucioneve, tetori është muaji i fundit deri kur mund të funksionojë Linja e jetës”, tha ai.
Ndonëse nuk përmend shifra, Skeja thotë se numri i personave që për arsye të ndryshme kryejnë vetëvrasje është i madh, përshirë edhe ata nga komuniteti LGBTI+.
Skeja tha se bashkëpunimi i vetëm i tyre bëhet me qytetarët, por jo edhe me policinë.
“Jo, fatkeqësisht kemi dashur të kemi bashkëpunim me policinë, por në nivelin që aktual është e pamundur. Jemi duke provuar sa më shumë për t’u siguruar edhe përtej tetorit, por nuk jemi në pikë ku mund të japim më shumë se sa që kemi dhënë deri më tash. Edhe orari në fakt është shkurtuar për shkak të kësaj”, tha ai.