Likoshani 1998 – Dëshmia e Zeqir Rexhepit
Intervista
Lexohet për: 5 min.
Dëgjoje me zë...
Likoshani 1998 – Dëshmia e Zeqir Rexhepit
rexhepi-likoshan-foto
28/02/2026 - 13:35
Linku u kopjua

Gjurmët e luftës janë ende të freskëta në Qirez e Likoshan, ani se kanë kaluar 28 vjet nga dita kur policia serbe kreu masakrën e parë ndaj civilëve sbqiptarë në luftën e fundit të Kosovë.

Kjo duke përdorur artilerinë më të rëndë, e madje edhe helikopterët, për t’i lënë në fund 26 të vrarë, midis tyre edhe pleq e gra, njëra nga to, shtatëzëna Rukije Nebihu.

E gjitha si hakmarrje për humbjet që kjo polici i pësoi kur në këto fshatra të Drenicës u përball me luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Zeqir Rexhepi, si njëri nga ta, i kujton zhvillimet një ditë para masakrës.

Rexhepi tregon që gjatë patrullimeve të natës në zonë, luftëtarët e UÇK-së vazhdonin të ruanin pozicionet dhe të mbikëqyrnin lëvizjet e forcave serbe. Kjo duke komunikuar mes vete nëpër lokacione të ndryshme mes komunave Skenderaj e Drenas.

Mëngjesi i ditës tjetër fillon me një sinjal alarmi. Një fishkëllimë nga vëllai i Zeqirit, Beqiri Rexhepit paralajmëron se diçka nuk është në rregull. Luftëtarët marrin menjëherë armët dhe përgatiten për përballje, ndërsa dyshimet rriten se bashkëluftëtarët e tyre mund të kenë rënë në pritë në Likoshan.

Ai po ashtu thot se jane nis me shpejtësi drejt Likoshanit për të kuptuar se çfarë kishte ndodhur me shokët e tyre. Në rrugë përballen papritur me forcat serbe që kishin filluar operacionin në zonë. Situata tensionohet kur një veturë e policisë serbe shfaqet në mes të rrugës dhe përplasja bëhet e pashmangshme.

Vëllau më ka bërtit:  “O priti vlla se çetnik të Beogradit janë”

“Jemi nis me atë mendimin me u taku me shokët ose janë të plagosur ose të vrarë, po na kapin pa fishek, mirëpo ata kanë shkëmby zjarr te 6 lisat, Musa me shokët, edhe është plagos Sabit Lladrovci, i cili kishte ardhë me ta, e kanë marrë e kanë qu në fshatin Kozhicq, 4 kilometra larg nga këtu edhe kanë shku në atë drejtim, mirëpo na duke mendu se i kemi shokët aty kemi shku me vrap kur kemi shku të shtena nga të gjitha anët, na ka ardhë një veturë Niva në mes rrugës ku janë familja Ahmeti edhe Xheli, unë kam mbet në mes të rrugës, janë dy rrugë aty ndahen njo nga familja njo ka 6 lisat… më ka bërtit vllau më ka thënë o priti vlla se çetnik të Beogradit janë, me gjujt ai me vrajke mu, me gjujt unë e vrajsha atë për momentin”,  tha Rexhepi.

Sipas Rexhepi, Përballja e armatosur ndodh në distancë shumë të afërt. Një polic serb përpiqet ta qëllojë atë nga vetura, por reagimi i shpejtë në ato sekonda vendimtare ndryshon rrjedhën e momentit.

Rexhepi: Ma drejtoi armën, unë ia priva – ia zbraza jë karikator

“Deri sa ka ardhë Niva te unë është mundu me më shkel, kam ik gjys hapi mbrapa edhe e kam marrë këndin tjetër që me gjujt më shlirë, pastaj e kanë nxjerr revolen në anën e djathtë Velo Jovanovic i shkrujke, ma ka drejtu është mundu me më vra në afërsi vetëm e kam zgjat tyten, në afërsi të xhamit e kam shkrep një karikator, u hap dera andej nga ana e pasagjerit ku ishte ai edhe i ka rënë koka në tokë edhe këmbët i kanë mbet në Nivë, i kemi agjesu ata krejt i kemi marrë 4 automatik, 4 revole prej trupave të tyre ka vazhdu lufta me të tjerët, xhaxhin Rexhep Rexhepi e ka marrë një plumb e kam marrë e kam tërhek qashtu të plagosur deri te dyert e Ahmetaj aty ka ndrru jetë atëherë kemi vrapu poshtë e kam hap edhe një derë tjetër, kemi hy në oborr të Ahmetaj dhe e kemi fsheh trupin që nuk kanë mujt me gjet forcat serbe”,tha:Rexhepi.

Operacioni serb zgjerohet me forca të shumta ushtarake. Zona rrethohet nga tanke, autoblinda dhe helikopterë që qëllojnë nga ajri. Në të njëjtën kohë, nëpër shtëpitë e fshatit fillojnë sulmet ndaj civilëve shqiptarë, ku familje të tëra përballen me dhunë dhe vrasje.

Mes luftimeve të ashpra në fshat, një nga momentet më dramatike është rezistenca e gjatë e Beqirit, për më shumë se 9 orë.

Ndërkohë, në fshat ndodhin masakra ndaj civilëve, ndërsa përballja vazhdon deri në mbrëmje, kur forcat serbe tërhiqen duke lënë pas një viktima të shumta.

Ngjarjet e atyre ditëve përfunduan me një tragjedi të madhe për banorët e zonës. Gjatë operacionit të forcave serbe u vranë dhe u masakruan shumë civilë shqiptarë në Likoshan dhe Qirez, ndërsa luftëtarët e UÇK-së vazhduan rezistencën edhe pse përballeshin me forca shumë më të mëdha ushtarake.

Rrëfimi i Zeqir Rexhepit mbetet një dëshmi e drejtpërdrejtë e atyre ditëve të para të luftës në Kosovë një kujtim për sakrificën, rezistencën dhe tragjedinë që shënoi fillimin e përballjes së hapur në Drenicë./ A.Veseli/


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026