Me 7 vota pro dhe një abstenim, Projektligji për Lojërat Mesdhetare është dërguar në Kuvendin e Republikës së Kosovës për lexim të parë.
Në Komisionin për Kulturë, Sport dhe Turizëm, Ministri i Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani tha se hartimi i projektligjit për Lojërat Mesdhetare është ndërmarrë në kuadër të mandatit të ministrisë, duke theksuar se për herë të parë në histori, Kosova do të jetë nikoqire e këtij organizimi madhor sportiv.
“Për herë të parë në historinë e saj, Kosova do të jetë nikoqire e lojërave mesdhetare, ngjarja më e madhe sportive e organizuar deri më sot në vendin tonë. Ky projektligj është në interes të lartë publik dhe kombëtar, i cili përveç forcimit të infrastrukturës sportive dhe zhvillimit ekonomik, e vendos Kosovën në hartën ndërkombëtare si një vend që organizon ngjarje të mëdha, si dhe përfaqëson një investim të rëndësishëm në zhvillimin e të rinjve, avancimin e sportit dhe forcimin e imazhit të shtetit. Ky ligj ka për qëllim përcaktimin e rregullave dhe procedurave, si dhe të detyrave e përgjegjësive të institucioneve shtetërore dhe subjekteve të tjera në lidhje me organizimin dhe funksionimin e edicionit të 21-të të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030”, theksoi Gashani.
Gashani bëri të ditur se projektligji synon të përcaktojë rregullat, procedurat dhe përgjegjësitë institucionale për organizimin e edicionit të 21-të të këtyre lojërave, duke përfshirë edhe miratimin e shfrytëzimit të fondeve publike në vlerë prej së paku 253 milionë eurosh.Gashani: Shteti do të jetë financuesi kryesor i Lojërave Mesdhetare
“Përmes këtij ligji, Qeveria e Republikës së Kosovës do të miratojë shfrytëzimin e fondeve publike për organizimin e Lojërave Mesdhetare në shumën prej të paktën 253 milionë e 445 mijë e 501 euro. E thashë me precizitet shifrën. Ky projektligj rregullon gjithashtu kompetencat e Komitetit Olimpik të Kosovës, të komunës së Prishtinës, si dhe të komunave të tjera të cilat do të përmbushin obligimet e tyre në raport me organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030. Në përputhje me mbështetjen financiare të garantuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës në dokumentin e kandidaturës, burimi kryesor i financimit për organizimin e Lojërave Mesdhetare do të jetë buxheti i shtetit të Republikës së Kosovës. Republika e Kosovës, përkatësisht Ministria e Sportit dhe Rinisë, e ka sportin prioritet”, shtoi më tutje Gashani.