“Të rinjtë gjithnjë e më shumë kanë qëndrime të së djathtës ekstreme”
Lajme
Lexohet për: 4 min.
foto
21 orë më parë
Linku u kopjua

Të rinjtë gjithnjë e më shumë kanë qëndrime të së djathtës ekstreme u tha në konferencën rajonale “Luftimi i Ekstremizmit në Kosovë”. Pjesëmarrësit në panelin “E djathta ekstreme në Ballkanin Perëndimor: ndikimet rajonale dhe ndërlidhjet transnacionale”, kanë diskutuar edhe për një fenomen të dy viteve të fundit, ku sipas tyre po nxitet urrejtje në lojërat online. Kjo konferencë rajonale është organizuar nga Sbunker me mbështetje të Ambasadës së Mbretërisë së Holandës në Kosovë.

Bazuar në hulumtimin e Iniciativës Atlantike, Nejra Veljan tha se kanë vërejtur që të rinjtë gjithnjë e më shumë kanë qëndrime të së djathtës ekstreme.

Kur flasim për grupet online të së djathtës ekstreme, ajo që shohim është se ata kanë komunikim strategjik prapa narrativave të tyre. Ata targetojnë demografi të ndryshme. Është e rëndësishme që në facebook do të krijojnë narrativ që do të jenë më të kapshme për popullatën e vjetër, kurse në TikTok do të paraqesin diçka që rezonon më shumë me rininë dhe më të miturit. Kjo është një gjë që shohim në mbarë Evropën por edhe në rajon gjithnjë më shumë shohim të rinj që kanë qëndrime ekstreme dhe pranojnë narrativët e së djathtës ekstreme. Sa i përket gjinisë, e tërë ideja e gjinisë ka dalë nga hulumtimi i Iniciativës Atlantike ku kemi shikuar përmbajtjen online të ekstremistëve, në atë moment fokusi ka qenë tek luftëtarët e huaj ekstremist dhe njerëzit që po shkonin në Siri dhe Irak dhe ajo që kemi parë është që narrativi i tyre kishte ndryshuar tërësisht, nuk po mobilizoheshin më që t’i bashkohen forcave të huaja terroriste apo që të bënin një sulm në komunitet lokal, mirëpo ata po targetonin gra dhe po targetonin burra përmes narrativave gjinor”, u shpreh ajo.

Mirza Bulubashiç, i cili është ligjërues në Fakultetin e Drejtësisë Penale Kriminologjisë dhe Studimeve të Sigurisë në Sarajevë tha se në dy vitet e fundit është bërë fenomen urrejtja në lojëra online.

“Kemi parë edhe një fenomen shumë interesant në dy vitet e fundit, kemi parë që tani urrejtja po futet edhe në lojëra. Kemi parë që edhe lojërat online të cilat janë pa pagesë, që janë në dispozicion në hapësirën online, lojërat online që përpiqen që ta rishkruajnë historinë e luftërave që kanë ndodhur në Ish-Jugosllavi nga viti 91 deri në 2001, por edhe nga Lufta e Dytë Botërore. Rinia tani ka qasje të drejtpërdrejt në këto lojëra dhe këto lojëra luhen, mund të zgjedhësh që të jesh narcist, një njësi specifike në Gjermaninë naziste të Luftës së Dytë Botërore, apo mund të marrësh edhe njësi serbe në Srebrenicë ku është kryer gjenocidi”, deklaroi ai.

Edhe Jasmina Lazovic, e cila është koordinatore për shkëmbim dhe bashkëpunim me Kosovë nga “Heartefact Foundation” tha se ekstremizmi në Serbi nënkuptohet vetëm si sulm terrorist.

Kur një ushtar nga zona e Sanxhakut në Serbi lufton kundër forcave të Asadit në Siri dhe ai kapet nga gjyqësori, ai do të akuzohet për terrorizëm. Por nëse një serb kapet duke luftuar me forcat pro-ruse në Ukrainë, ky person do të akuzohej me nenin e Kodit Penal për pjesëmarrje në konflikte të huaja dhe akuzohet si luftëtar i huaj por jo si terrorist potencial. Këtë po e jap si shembull për ta bërë diferencën edhe kur flasim për ekstremizmin në Serbi, atmosfera e përgjithshme që qëllimisht është krijuar është që ekstremizmi është shumë i rrezikshëm dhe ka të bëjë me terrorizmin dhe pastaj lidhet edhe me islamin si fe”, përfundoi ajo.

Konferenca rajonale e cila organizohet në kuadër të projektit “Luftimi i ekstremizmit në Kosovë: prirjet, sfidat dhe kundër-masat” ka filluar diskutimet nga mëngjesi, ku është thënë se ento-nacionalizimi po përhapet edhe në Kosovë, sidomos në pjesën veriore të vendit./KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025