Liderët opozitarë tashmë kanë mbërritur në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, ku do të takohen me kryeministrin Albin Kurti, me ftesë të këtij të fundit.
Kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe i pari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj pritet që me kreun e ekzekutivit të diskutojnë për situatën në veri të Kosovës.
“Gjendja e rënduar në veri tejkalohet me unitet, maturi dhe bashkëpunim me aleatet strategjik”, ka shkruar ajo.
PDK dje përmes një letre publike ka shprehur gatishmërinë e saj për të komunikuar hapur dhe në vazhdimësi me Qeverinë e Kosovës rreth situatës së krijuar në pjesën veriore të vendit.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj në një konferencë të jashtëzakonshme për media, ka thënë se Kurti po e ndihmon skenarin e Serbisë për dështimin e planit franko-gjerman, për marrëveshjen finale me njohje reciproke.
Më 30 tetor, Qeveria mori vendim për zbatimin e vendimit për regjistrimin e makinave me targa ilegale serbe me targa të Kosovës: RKS, përkundër kërkesës së ndërkombëtarëve që ky vendim të shtyhet për dhjetë muaj.
Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS, apo Republika e Kosovës.
Pas fillimit të zbatimit të fazës së parë të vendimit, përfaqësuesit serbë kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre në Qeveri, Kuvend, gjyqësor , polici dhe Kuvendeve komunale në veri të vendit. Ndërkohë, dje kanë mbajtur edhe një protestë.