Kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor nënshkruan në samitin e Procesit të Berlinit një plan të ri për tregun e përbashkët rajonal, si dhe një marrëveshje të re për lëvizshmërinë, e cila përfshin qasjen në arsimin e lartë.
Nën udhëheqjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, samiti u mbajt të hënën në Berlin.
Scholz tha se marrëveshjet e reja "do ta bëjnë jetën e njerëzve më të lehtë".
"Procesi i Berlinit është instrumenti më i mirë jo vetëm për bashkëpunimin rajonal, por edhe për përshpejtimin e integrimit evropian të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor", tha ai.Vendet anëtare të BE-së i miratuan më 11 tetor agjendat e reformave të pesë vendeve të rajonit - përveç Bosnje e Hercegovinës - duke i hapur kështu rrugë Komisionit Evropian që t'i bëjë pagesat e para nga paketa në fjalë.
Bosnja duhet të presë ende për miratimin e agjendës së saj, pasi që dokumenti që ky vend dërgoi në BE, nuk ishte komplet dhe nuk i adresonte të gjitha sugjerimet e dhëna nga Komisioni Evropian.