Leyen: Tre miliardë eurot e para të ndihmës nga 18 të planifikuara i janë paguar Ukrainës
Lexohet për: 2 min.
Ursula von der Leyen
1 vit më parë
Linku u kopjua

Komisioni Evropian pagoi sot këstin e parë prej tre miliardë eurosh nga paketa e ndihmës makrofinanciare prej 18 miliardë eurosh për Ukrainën.

Vendimi u njoftua nga presidentja e KE Ursula von der Leyen nga Davos.

“Dje Komisioni ka dhënë tre miliardë euro mbështetje financiare. Ky është kësti i parë i paketës sonë të mbështetjes prej 18 miliardë eurosh për vitin 2023. Kjo do të forcojë stabilitetin financiar të Ukrainës, do të ndihmojë në pagimin e pagave dhe pensioneve dhe do të sigurojë funksionimin e spitaleve, shkollave dhe shërbimeve të strehimit”, tha ajo në një fjalim në Davos.

Von der Leyen shtoi se BE-ja ka futur "sanksionet më të forta ndonjëherë, për shkak të të cilave ekonomia ruse përballet me një dekadë regresioni dhe industria e saj nuk ka asnjë teknologji moderne dhe kritike".

“Nuk do të ketë pandëshkueshmëri për krimet ruse. Dhe nuk do të ketë asnjë ndalim në mbështetjen tonë të palëkundur për Ukrainën – nga ndihma për të rivendosur energjinë elektrike, ngrohjen dhe ujin, deri te përgatitja për përpjekjet afatgjata të rindërtimit”, tha Von der Leyen.

Siç njoftoi Komisioni, bëhet fjalë për "mbështetje financiare të qëndrueshme, të rregullt dhe të parashikueshme që do t'i mundësojë Ukrainës të sigurojë stabilitet makroekonomik dhe të rindërtojë infrastrukturën kritike të shkatërruar nga Rusia në luftën e saj të agresionit, si infrastruktura energjetike, sistemet e ujit, rrjetet e transportit, rrugët dhe urave”.

Pagesat e ardhshme për Ukrainën do të arrijnë në 1.5 miliardë euro në muaj, duke filluar nga marsi, dhe do të kushtëzohen nga përparimi i kënaqshëm drejt zbatimit të kushteve të miratuara të reformës.

Për të financuar këto kredi, Komisioni merr hua nga tregjet e kapitalit si pjesë e qasjes së tij unike të financimit.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024