LVV 'thumbon' Ramën: Duhet të pendohet për qëndrimet e gabuara të së kaluarës rreth Gjykatës Speciale
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
LVV 'thumbon' Ramën: Duhet të pendohet për qëndrimet e gabuara të së kaluarës rreth Gjykatës Speciale
lvv
16/10/2025 - 08:10
Linku u kopjua

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar lidhur me protestën që po organizohet në Tiranë në përkrahje ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Përmes një postimi në Facebook Lëvizja Vetëvendosje thotë se UÇK nuk ishte grup kriminal dhe për krime lufte duhet të gjykohet Serbia, megjithatë LVV thotë se qëndrimet e gabuara të politikanëve sollën Gjykatën Speciale, transmeton KosovaPress.

LVV ka deklaruar se për këto qëndrime politikanët dhe aktorë të ndryshëm duhet të reflektojnë dhe të shprehin pendesë për qëndrimet e gabuara të së kaluarës duke përmendur si shembull kryeministrin shqiptar, Edi Rama.

Sipas LVV, Rama kishte ardhur në mënyrë emergjente me helikopter për të bindur palët për të votuar pro themelimit të Gjykatës Speciale.

"Reflektimi nuk është gabim, por në këtë drejtim shumë nga ata që sot dalin në kundërshtim me Gjykatën Speciale, dje ishin lobuesit më të mëdhenj për themelimin e saj. Para se të protestojnë, këta aktorë dhe politikanë duhet të tregojnë të paktën një minimum pendese për qëndrimet e tyre të gabuara në të kaluarën. Një shembull i qartë është vet Kryeministri aktual i Shqipërisë, Edi Rama, i cili madje kishte ardhur në Kosovë në vizitë emergjente me helikopter për të bindur palët këtu që të votonin pro themelimit të kësaj Gjykate", thuhet në postimin e LVV në Facebook.

Tutje, LVV thotë se qëndrimi i tyre mbetet i pandryshuar që nga viti 2015 se drejtësia duhet të ndriçojë të vërtetën, duke thënë se e vërteta nuk ka si të jetë ndryshe 'veçse në anën e luftës dhe përpjekjes së paepur të popullit të Kosovës për çlirim e pavarësi sikur popujt e tjerë'.

"Por, Lëvizja VETËVENDOSJE!, si atëherë më 2015, si sot më 2025, është e palëkundur se drejtësia duhet të ndriçojë të vërtetën dhe e vërteta nuk ka si të jetë ndryshe veçse në anën e luftës dhe përpjekjes së paepur të popullit të Kosovës për çlirim e pavarësi sikur popujt e tjerë", thuhet tutje në reagim.

Kujtojmë se me 17 tetor është organizuar protesta në Tiranë e cila po cilësohet si mbarëkombëtare në përkrahje të ish krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026