Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka komentuar letrën e tre liderëve evropianë dërguar kryeministrit Albin Kurti përmes së cilës kërkohet asociacioni si kushte për anëtarësimin e vendit në Këshillin e Evropës.
Ai ka thënë se letra e kancelarit gjerman Olaf Scholz, kryeministres italiane Giorgia Meloni dhe presidentit francez Emmanuel Macron “dëshmon se partnerët e Kosovës nuk janë militantë partiakë” dhe “ekspozon Kosovën si një shtet që nuk di të jetë serioz në arenën ndërkombëtare”.“Shteti i Kosovës dhe qytetarët tanë nuk ua kanë borxh të ardhmen një njeriu që luan me detyrimet e shtetësisë e që rrënon reputacionin e shtetit të Kosovës kaq keq. Duke i trajtuar partnerët si militantë, diplomacinë si kafehane e Kosovën si fushë mbjellje e korrjeje të votave momentale në dëm të prodhimeve të duhura ndërkombëtare, ne po shndërrohemi në një vend të zymtë dhe pa perspektivë”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Postimi i plotë:
Një turpërim ndërkombëtar!
Një dëm historik!
Letra e tre aleatëve të pavarësisë dhe rrugëtimit tonë shtetar, nuk ekspozon thjesht një kryeministër populist që manipulon me ndjenjat nacionale në dëm të interesave të shtetit. Ajo e ekspozon Kosovën si një shtet që nuk di të jetë serioz në arenën ndërkombëtare.
Partnerët e Kosovës nuk janë militantë partiakë që kur kryeministri i viziton u jep pasqyrën e shtetit të falimentuar si sukses qeveritar. Subjektiviteti ndërkombëtar i Kosovës nuk është platformë zgjedhore mbi të cilën merren votat. Populistët këtë peshë përfaqësimi nuk e kuptojnë dot. Prandaj dhe të turpërojnë, të dështojnë dhe të dëmtojnë.
Në relacionet e tilla, ka një kohë kur duhet përballur me argumente politike dhe ka një kohë kur duhet qëndruar në ballë të angazhimeve ndërkombëtare. Këtu dallojnë prijësit prej populistëve, patriotët prej mashtruesve.
Shteti i Kosovës dhe qytetarët tanë nuk ua kanë borxh të ardhmen një njeriu që luan me detyrimet e shtetësisë e që rrënon reputacionin e shtetit të Kosovës kaq keq. Duke i trajtuar partnerët si militantë, diplomacinë si kafehane e Kosovën si fushë mbjellje e korrjeje të votave momentale në dëm të prodhimeve të duhura ndërkombëtare, ne po shndërrohemi në një vend të zymtë dhe pa perspektivë.