Gjykata Ndërkombëtare Penale njoftoi sot se kishte lëshuar urdhër-arreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte në Gaza.
Dhoma Paragjyqësore e Gjykatës së Hagës tha se “lëshoi urdhër arresti për dy individë, Benjamin Netanyahu dhe Yoav Gallant, për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte të kryera nga të paktën 8 tetori 2023 deri të paktën më 20 maj 2024.”
Në lidhje me krimet e tyre të supozuara, gjykata tha se "gjeti baza të arsyeshme" për të besuar se Netanyahu dhe Gallant "mbajnë përgjegjësi penale për krime kundër njerëzimit, persekutim dhe akte të tjera çnjerëzore”.
Gjykata lëshoi gjithashtu një urdhër arresti për liderin e lartë të Hamasit, Mohammed Diab Ibrahim Al-Masri, i njohur zakonisht si Deif, “për krime të dyshuara kundër njerëzimit dhe krime lufte të kryera në territorin e shtetit të Izraelit dhe Palestinës nga të paktën 7 tetor 2023.”Kërkesat për urdhër-arrest për dy liderë të tjerë të lartë të Hamasit, Ismail Haniyeh dhe Yahya Sinwar, u tërhoqën përkatësisht në gusht dhe tetor, pas konfirmimit të vdekjes së tyre, tha ICC. /AA