Lëndohet Gjimshiti, mungon ndaj Çekisë dhe Gjeorgjisë
Sport
Lexohet për: 1 min.
Departamenti i Komunikimit në Federatën Shqiptare të Futbollit ka bërë me dije se kapiteni Berat Gjimshiti nuk do të jetë i gatshëm për Kombëtaren në sfidat e radhës në UEFA Nations League ndaj Çekisë dhe Gjeorgjisë për shkak dëmtimi.
Mbrojtësi kuqezi pësoi një dëmtim në ndeshjen e Champions League, Shakhtar Donetsk – Atalanta dhe pas përfundimit të pjesës së parë nuk zbriti më në fushë. Gjimshiti nuk ishte i grumbulluar me Atalantën edhe në ndeshjen e fundjavës në kampionat ndaj Genoa.
Stafi mjekësor i Kombëtares shqiptare ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me atë të Atalantës dhe është vendosur që Gjimshiti të mos rrezikojë, që të rikuperohet sa më parë dhe të rikthehet sa më shpejt në fushën e lojës.
Lista përfundimtare e Kombëtares është me 23 futbollistë pasi trajneri Silvinjo dhe stafi teknik kanë vendosur që të mos thërrasin tjetër lojtar në mungesë të Gjimshitit.