Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot është mbajtur seanca e parë në rastin e 53 milionë eurove, ku po akuzohen ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, si dhe Nebih Shatri, ish-sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës (MI) dhe Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në MI.
Por, shqyrtimi fillestar në këtë rast është shtyrë pasi i akuzuari, Pal Lekaj u shpreh se nuk e ka pranuar aktakuzën dhe për këtë nuk është i gatshëm të deklarohet rreth akuzës. Prandaj, kryetarja e trupit gjykues mori vendim që seanca e sotme të shtyhet për datën 4 maj me arsyetim për mbrojtjen e të drejtave të të akuzuarit për ta lexuar aktakuzën.
“Meqë aktakuza është voluminoze është e drejtë e imja personale të kërkoj kohë më shumë, sepse të lexohen gjashtë folder me aktakuza është e pamundur që brenda tri orëve apo një dite, ka qenë obligim që unë të pajisem me gjithë dokumentacionin para se të fillojë seanca apo ta marr ftesën për seancë dhe nuk ka qenë obligim i imi që tani t’iu dikujt tjetër që ka qenë e domosdoshme që unë të pajisem”, theksoi ai.
E para këtij deklarimi kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani insistoi që sot të vazhdohet me lexim të aktakuzë nga ana e Prokurorisë Speciale.
Edhe prokurori i rastit, Valdet Gashi e ka kundërshtuar fillimisht kërkesën e të akuzuarit, Pal Lekaj që të shtyhet seanca e sotme.
“Sa i përket pajisjes me shkresa të lëndës, Prokuroria ka prova se të gjithë të pandehurit janë të pajisur me shkresa të lëndës. Sa i përket të pandehurit, Pal Lekaj, avokati Arianit Koci është pajisur me të gjitha shkresat e lëndës, i njëjti në kohën kur është pajisur me shkresa të lëndës ka pasur autorizim për ta përfaqësuar të pandehurit, Pal Lekaj. Nuk është faji te Prokuroria nëse të pandehurit i ndërrojnë avokatët dhe nuk komunikojnë mes vete, andaj propozojmë të lexohet aktakuza pasi të pandehurit Pal Lekaj t’i jepet një kohë e arsyeshme për ta lexuar aktakuzën edhe ashtu Prokuroria do ta lexojë në tërësi dispozitivin e aktakuzës” , u shpreh ai.
Përkundër kësaj, i akuzuari Pal Lekaj u shpreh se ai nuk ka pranuar aktakuzën nga ish-avokati i tij, derisa shtoi se koha prej 1 orësh për të lexuar aktakuzë nuk i mjaftoi, andaj kërkoi që seanca e sotme të shtyhet. Ai madje tha se i duhen 10 ditë kohë për ta lexuar aktakuzën dhe për t’u konsultuar me mbrojtjen e tij.
“Unë sa i përket provave i kam marrë, por sa i përket aktakuzën asnjëherë nuk e kam marrë as nga avokati që nuk është i autorizuar... Gjyqtarja: Gjatë intervalit kohor që u pajise tani me aktakuzën a pate mundësi me lexua aktakuzën a të mjafton koha për lexim të aktakuzën...Lekaj: E nderuar, nuk më ka mjaftuar koha, ishte koha shumë e shkurtër, më duhen konsultime paraprake dhe nuk di që mund të ndodhë kjo brenda ditës... Gjyqtarja: Çfarë intervali kohor iu duhet... Lekaj: E potencova brenda 10 ditëve më duhet që ta kuptojë aktakuzën dhe të kemi konsultime me të autorizuarin avokatin, përndryshe më duhet të deklarohem se unë nuk mund të deklarohem se nuk jam i gatshëm të deklarohem rreth aktakuzë në lidhje me fajësinë“, u shpreh Lekaj.
“Interesi i Prokurorisë është që ne sot ta lexojmë aktakuzën pastaj është një afat i arsyeshëm kohor ligjor që e njëjta të kundërshtohet, por marr për bazë edhe procedurat tjera ne ia lëmë në vendimmarrje gjykatës që të vendosë ashtu siç e sheh më të arsyeshme”, tha Dema.
Pas këtyre deklarimeve kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani aprovoi kërkesën e të akuzuarit, Pal Lekaj për shtyrje të seancës me arsyetimin për mbrojtjen e të drejtave të të akuzuarit për ta lexuar aktakuzën.
Pas përfundimit të seancës, Musa Damati, avokati i të akuzuarit Pal Lekaj, e ka cilësuar me ngjyrime politike aktakuzën ndaj klientit të tij.
“Në raport me klientin tim, ish-ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj, mbrojtja nuk mund të deklarojë se ekzistojnë veprimet inkriminuese lidhur atë se a do krijohej anatomia e veprës penale, në këtë rast në raport me klienti im, Lekaj. Po ashtu, është kruciale të theksohet se vendimi i cekur në aktin akuzues është vendim kolegjial, vendim i komiteti ndërministror, pra nuk është vendim individual në anën tjetër, është po ashtu kruciale të theksohet se ky vendim i komitetit ndërministror ka marrë edhe konfirmimin edhe nga Qeveria e atëhershme e Kosovës që do të thotë se një lloj shënjestrimi ndoshta edhe me ngjyrime politike në raport me klientin tim ish-ministrin e Infrastrukturës mund të konsiderohet edhe si tendencioz dhe me ngjyrime politike”, theksoi ai.