Me 300 ditët e saj me diell në vit, ujërat bruz të detit Jon dhe ishujt e saj shkëmborë, Riviera Shqiptare është shtëpia e disa prej plazheve më të bukura në Evropë, shkruan Thibault Petit në të përditshmen franceze “Le Figaro”.
Një plejadë limanesh dhe ishujsh shkëmborë me ujëra bruz, duket si një pikturë e Van Gogh. Greqia, Italia? Jo, një vend mesdhetar në zemër të Evropës: Shqipëria. Vija bregdetare e saj nuk ka asgjë për t’u pasur zili nga vendet e tjera të Mesdheut. Vendi i shqiponjave ndodhet në veri të Greqisë përballë Italisë. Në perëndim kufizohet nga detet Adriatik dhe Jon. Moti? 300 ditë me diell në vit. Në jug të vendit ndodhet një bregdet i mrekullueshëm me ujëra të kristalta, shkëmbinj dhe kodra të gjelbëruara, kjo është Riviera Shqiptare.
Gjiri i Gramës
Më shumë se 2000 vjet më parë, në kohët e lashta, lundruesit që udhëtonin përgjatë bregdetit ndaluan këtu, në Gjirin e Gramës. Këtu mund të zbuloni mijëra gdhendje në greqishten e vjetër dhe latinisht në muret shkëmbore të këtij lokaliteti arkeologjik: Gjiri i Gramës, në Gadishullin e Karaburunit. Shpellat janë një mister i këtij vendi idilik me ujërat bruz, guraleca të bardha dhe bimësi të dendur. Me pak fjalë, të jep idenë e një Parajse: një restorant i vetëm, pa rrjet telefonik dhe akses i rezervuar për më të motivuarit. Për të arritur në Gjirin e Gramës duhet të ecni 13 kilometra në një shteg bregdetar nga Palasa. Përndryshe, merrni një varkë nga Dhermiu dhe udhëtoni 40 minuta. Shumë shpella mund të eksplorohen me varkë.
Plazhi i Llamanit
I vendosur mes dy gërmadhave shkëmbore, Plazhi i Llamanit ka një sipërfaqe prej 200 metrash me guralecë të imët. I vogël në përmasa, plazhi i Llamanit nuk është më pak i popullarizuar. Shumë vizitorë marrin me qira çadra dhe shezlongë, shijojnë mbrëmjet me shkumë dhe muzikën elektronike në verë. Gjithashtu ju do të keni mundësi të hapni peshqirin tuaj në shkëmbinjtë aty pranë dhe të zhyteni në ujin e pastër. I vendosur pak kilometra larg Himarës, plazhi i Llamanit është gjithashtu një vend i famshëm për zhytje.
Plazhi i Dhërmiut
Nga Dhërmiu, një fshat i vendosur 200 metra mbi nivelin e detit në shpatin e malit, vija bregdetare shtrihet si një shirit i gjatë me nuanca blu. Plazhi i Dhërmiut është një nga plazhet më të bukura të vendit me guralecë të imët që zënë një sipërfaqe prej më shumë se një kilometër, ujëra bruz dhe çadra me qira për rreth 10 euro. Pak më në veri, ndodhet Plazhi i Drimadhës me rërë të imët, pyje pishe, limane të izoluar dhe gjire të fshehur.