Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka kritikuar Qeverinë Kurti për paaftësi dhe mos veprime për shtrenjtimin e faturave të energjisë elektrike për 42 për qind.
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Besian Mustafa, në një konferencë për medie të martën, tha se mungesa e përgjegjësisë dhe profesionalizmit të ekzekutivit do të vështirësojnë jetën e qytetarëve.
Mustafa i cili është edhe deputet i LDK-së, tha se Qeveria Kurti s’ka dhënë asnjë shenjë për zgjidhjen e problemit të energjisë elektrike.
“Qeveria deri sot nuk ka dhënë asnjë shenjë se ka ide për të zgjidhur këtë problem në rrafshin afatgjatë. Kur krejt qeveritë e botës janë mobilizuar që të lehtësojnë jetën e qytetarëve dhe ekonomitë e tyre, mos veprimet e Qeverisë së Kosovës rezultojnë në shtrenjtimin e energjisë për 42 për qind për qytetarët. Mos veprimet e qeverisë për të gjetur zgjidhje po dëmtojnë familjet dhe bizneset kosovare. LDK angazhohet në vazhdimësi që të rriten kapacitet prodhuese në Kosovë, të zvogëlohet vartësia nga importi i energjisë dhe që fatura e energjisë të jetë sa më përballueshme për secilin familje dhe prodhues në Kosovë”, shtoi Mustafa.
“Paaftësia e qeverisë për të menaxhuar furnizimin me energji elektrike deri tani i ka kushtuar qytetarit të Kosovës, 20 milionë euro të ndara për KOSST-in, 20 milionë euro të tjera për importin e energjisë dhe 75 milionë euro të tjera për subvencionimin të çmimit të energjisë. Pra gjithsej 115 milionë euro deri tash pa investuar një cent të vetëm në rritjen e kapaciteteve gjeneruese të energjisë. 115 milionë euro të shpenzuara deri tash dhe në anën tjetër Qeveria refuzoi 200 milionë dollarë grand nga MCC e ShBA-ve për termocentralin me gazë që do të shërbente për prodhimin më të lartë të energjisë dhe çmime më të ulura për tregun vendor”, deklaroi ai.
Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ditë më parë ka propozuar rikthimin e bllok tarifave në faturat e energjisë elektrike. Shqetësim për një vendim të tillë shprehu edhe partia tjetër opozitare, PDK.