Lidhja Demokratike e Kosovës do të mbledhë kuvendin e përgjithshëm më 31 janar, ku kryetari Lumir Abdixhiku pritet të kërkojë votëbesim para 355 delegatëve, pas rezultatit të dobët në zgjedhjet e 28 dhjetorit, raporton KosovaPress.
Pas mbledhjes së kryesisë së LDK-së, e cila zgjati rreth katër orë të hënën, zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, tha se statuti i kësaj partie e njeh të drejtën e kryetarit për të kërkuar votëbesim.
Pjesë e mbledhjes së kryesisë së LDK-së ishte edhe Xhafer Tahiri, për të cilin Abdixhiku kishte paralajmëruar masa, pasi i njëjti kishte nënshkruar një koalicion parazgjedhor me LVV-në në nivel lokal për komunën e Vushtrrisë. Në lidhje me atë se a janë marrë masa ndaj tij, Mustafa tha se këto janë kompetencë e kryetarit Abdixhiku.
Po ashtu, Mustafa foli edhe për keqpërdorimet dhe vjedhjet e votave brenda subjekteve politike, të cilat janë vërtetuar nga rinumërimi i votave të kandidatëve në 10 komuna të Kosovës.
Bazuar në rezultatet preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë 13.24 për qind të votave, që i sigurojnë 15 ulëse në Kuvend. /KosovaPress/