Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besjan Mustafa ka thënë se Albin Kurti e ka obligim t’i shpjegojë qytetarëve për kauzën e tij se nuk duhet zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese që bazoheshin në vendimet e ish-regjimit të Millosheviqit, e me të cilat i jepej tokë Manastirit të Deçanit, kurse në momentin që vije në pushtet i zbaton po të njëjtat vendime.
Ai në një konferencë për media ka komentuar deklaratat e të dërguarit të posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, lidhur me dinarin dhe marrëdhëniet e Kosovës dhe SHBA-së, ka thënë se janë dëmtuar marrëdhëniet e dy qeverive e jo në mes dy popujve. Mustafa është pyetur edhe për vendimin e Qeverisë për t’i dhënë Masantirit serb të Deçanit tokë, si kusht për t’u anëtarësuar në Këshillin Evropian, ku tha se LDK është pro zbatimit të vendimit të gjyqësorit.
Përndryshe, Escobar ka thënë se për anëtarësim në Këshillin e Evropës, Kosovës i kanë mbetur edhe dy kushte.
“Tani, janë dy kushte të tjera që i kishte përmendur Këshilli i Evropës dhe që po i kërkojnë disa vende evropiane. Njëri është... [ka të bëjë] me disa veprime për shpronësimet që po bëhen në veri. Dhe, tjetri është Asociacioni”, ka theksuar Escobar.
Këtë urdhër Qeveria e ka dhënë në mbledhjen e mbajtur të mërkurën. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se këtë vendim e ka marrë për ta hequr si kusht për pranimin e Kosovës në Këshill të Evropës. Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës ka qenë para dy opsioneve: Të plotësojë këtë kusht dhe që Kosova të pranohet në Këshill të Evropës apo të ngelë pa u anëtarësuar.