Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka kërkuar hetime urgjente nga Prokuroria në lidhje me ndryshimin e raportit mbi shpenzimet e Qeverisë për karburante nga Zyra Kombëtare të Auditorit (ZKA).
Në një konferencë për media sonte, anëtari i kryesisë së LDK-së Berat Rukiqi, ka thënë se bëhet fjalë për një falsifikim “të drejtpërdrejtë” në një raport institucional, pas ndërhyrjes së ministrit të Financave, Hekuran Murati.
Rukiqi tha se LDK e dënon fuqishëm “këtë akt të falsifikimit” dhe i bën thirrje prokurorisë që ta hetojë sa më shpejt “këtë krim të rëndë.”
“Një falsifikim i tillë nuk mund të cilësohet ndryshe veçse si një krim i rëndë institucional, ku ka shumë palë të përfshira. LDK do të angazhohet brenda Parlamentit që të zbardhet ky rast i falsifikimit dhe ndërhyrjes së qeverisë në institucionet e pavarura”, tha ai.ZKA-ja sqaron se te shënimi “Mallrat dhe Shërbimet” ku është bërë përshkrimi i zërave kryesorë që përbëjnë shpenzimet e kësaj kategorie, të dhënat e paraqitura nuk paraqesin gjendjen sipas të dhënave nga raporti vjetor financiar për buxhetin e Kosovës për vitin 2023.
Me vendim të Auditores së Përgjithshme është korrigjuar raporti vjetor i auditimit për vitin 2023 në faqen 42, te paragrafi 2 janë bartur të dhënat e korrigjuara të cilat përkojnë me të dhënat e sakta me raportin vjetor financiar të buxhetit të Kosovës 2023, përkatësisht, shënimi 28 “Mallrat dhe shërbimet” si në vijim: Zërat kryesor në këtë kategori të cilat përfshijnë pjesën më të madhe të shpenzimeve janë: shërbimet kontraktuese tjera me 70.927.000 euro, furnizimet mjekësore 61.714.000 euro, shpenzimet e karburantit dhe ngrohjes 27.910.000 euro, blerja e librave 514.000 euro, shpenzimet e qirasë 11.495.000 euro etj.
ZKA-ja ka njoftuar Kuvendin e Kosovës, Zyrën e Kryeministrit, Ministrinë e Financave si subjekt i audituar, Komisionin për mbikëqyrjen e financave publike dhe Komisionin për buxhet, punë dhe transfere me të gjitha sqarimet e nevojshme.