Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një komunikate i ka quajtur të pavërteta deklaratat e Qeverisë së Kosovës, se Kosova ka përparuar në indekset ndërkombëtare.
Sipas LDK-së Qeveria e Kosovës po mundohet të manipulojë me raportet e publikuara tashmë.
LDK-ja ka përmendur se më parë ka ngritur shqetësimet pas publikimit të Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit, ku Kosova sipas tyre ishte vlerësuar vetëm me 41 pikë.
“Sipas Transparency International, Kosova vendin e 83-të e ndau me Burkina Fason, Afrikën e Jugut e Vietnamin. Po ashtu Kosova ishte e renditur pas Malit të Zi e pas Maqedonisë së Veriut. Përveç tjerash, radhitja e shteteve në këtë indeks nuk tregon asgjë sepse vendet mund të ndryshojnë renditje pa pasur asnjë përmirësim. Vetëm gjatë qeverisjes së LDK-së (2014-2017), Kosova u ngrit nga 33 poena, në 39 në Transparency International, që do të thotë se pushteti e mori mandatin me 39 poena dhe nuk e ngriti më shumë se 2. Pra ka propagandë, nuk ka lëvizje në indekset ndërkombëtare”, thuhet tutje.
“LDK e vlerëson këtë Qeveri si; Qeveri e regresit, propagandës dhe e paaftësisë. LDK po ashtu beson se qytetarët tanë janë të vetëdijshëm të dallojnë propagandën ndaj të gjitha fakteve që po ofrojmë; fakte të publikuara nga institucionet ndërkombëtare e vendore që e demantojnë çdo mashtrim të kësaj Qeverie”, përfundon njoftimi.