Ukshin Hoti dhe të tjerët që u rrëmbyen me dhunë peshojnë mbi supet tona si guri i rëndë, ka thënë kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi në mbledhjen solemne për shënimin e Ditës së Çlirimit të kësaj komune.
Latifi shtoi se 24 vjet më parë, çdo pëllëmbë e kësaj toke ishte e larë me gjak martirësh e dëshmorësh.
“Populli ynë ka derdhur shumë gjak dhe ka përjetuar përndjekje dhe persekutime të padënuara ende. Ka përjetuar dhunë dhe represion të tmerrshëm, por zëri ynë nuk është dëgjuar. Të vrarë e të persekutuar me dekada, por shpresën për liri nuk na i kanë vrarë asnjëherë. Siç do të thoshte poeti i madh Din Mehmeti ‘për gjuhë, për tokë, për varre ne kurrë s’jemi ngopur’. Gjithmonë pati burra që kanë menduar, punuar dhe luftuar me vetëmohim për të arritur në këtë ditë. Mobilizimi i forcave të shumta ushtarake patriotike me synime të pastra çlirimtare bëri që në radhë të çlirimtarëve të renditen ata dhe ato që e deshën lirinë më shumë se jetën”, tha Latifi.
Në fushë të nderit, siç tha Latifi, ranë shumë dëshmorë dhe u vranë e u masakruan shumë gra, fëmijë, e të moshuar të pambrojtur.
Ish-luftëtari, Isuf Gashi u shpreh se kjo ditë është e rëndësishme për vendin./Sh. Pajaziti.