Zbatimi i marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe modernizimi i Kushtetutës së Bosnje e Hercegovinës duhet të jenë ndër prioritetet në rajon, deklaroi sot emisari special i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak në forumin 2BS në Budvë të Malit të Zi.
Diplomati sllovak tha se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përbëjnë sfidën më të madhe strategjike në rajon, pasi sipas tij, ato ndikojnë në bashkëpunimin rajonal dhe integrimin evropian.
“Ne shohim përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për të arritur sundimin e ligjit në veri të Kosovës. Të gjithë e mbështesin sundimin e ligjit, por për fat të keq, është bërë në atë mënyrë që nxit kundërshtime nga bashkësia ndërkombëtare dhe zhgënjim nga komuniteti vendës, andaj kemi më shumë tensione”, tha Lajçak.
Ai iu referua veprimeve të Prishtinës zyrtare për mbylljen e institucioneve paralele serbe në veri.
Duke qenë se Lajçakut i është zgjatur mandati deri në janar të vitit 2025, një nga pyetjet ka qenë nëse ai pret përparim në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë deri atëherë.
“Në Kosovë po vijnë zgjedhjet dhe nga përvoja politike e di se rrallë mund të priten ndryshime të mëdha para zgjedhjeve. Por, ne po përgatisim terrenin për përparim të shpejtë menjëherë pas zgjedhjeve”, u përgjigj Lajçak.
"BE ishte shumë e qartë: ata që janë përgjegjës për këtë duhet të mbajnë përgjegjësi dhe ne e dimë se cilët janë këta njerëz, disa prej tyre pranuan përgjegjësinë dhe është për keqardhje që ne nuk e shohim atë përgjegjësi", tha Lajçak.
Ai shtoi se BE-ja do të vazhdojë të ngulë këmbë në përgjegjësi, sepse rastet si Banjska nuk duhet të kalojnë pa ndëshkim.
Prokuroria kosovare ngriti aktakuzë ndaj Radoiçiq dhe 44 personave të tjerë për sulmin në Banjskë, tre prej të cilëve dolën para gjykate javën e kaluar, ndërkohë që pjesa e mbetur janë në arrati. /REL