Emisari special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, deklaroi se i vlerëson mendimet dhe rekomandimet e presidentes Vjosa Osmani, për mënyrën se si Kosova dhe Serbia duhet ta zbatojnë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve mes vete.
Ai tha se u takua me presidenten Osmani në Nju Jork për të diskutuar për gjendjen e tanishme në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Si Osmani ashtu edhe Lajçak qëndruan në SHBA këtë javë, ku liderët botërorë u mblodhën për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Emisari evropian u takua edhe me kryeministrin Albin Kurti, ku së bashku me të dhe ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O'Brien diskutuan për dialogun.Kosova ngul këmbë që kjo marrëveshje të nënshkruhet së pari, edhe pse BE-ja thotë se ajo është e detyrueshme pavarësisht nënshkrimit, ndërsa Serbia ka shprehur rezerva për zbatimin e plotë të saj.
Marrëveshja e përbërë prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje reciproke të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.
Raundi i fundit i dialogut në nivel të lartë politik midis kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq u mbajt në shtator të vitit 2023, derisa kryenegociatorët më 17 shtator nuk zhvilluan takim trepalësh për shkak të mospajtimeve mbi temat e diskutimit. /REL