Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë shkarkuar nga pozita e anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Agron Bekën. Shkarkimi i tij është bërë pas përsëritjes së votimit, meqë partitë opozitare kanë kundërshtuar votimin e parë me arsyetimin se ka pasur paqartësi gjatë numërimit të votave. Për shkarkimin e Bekës kanë votuar 62 deputetë për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Deputetët kanë miratuar në parim projektligjin për vlerësimin strategjik mjedisor. Ky projektligj është miratuar me 59 vota për, dy kundër dhe një abstenim.
Kuvendi ka miratuar me 60 vota për edhe projektligjin për administrimin e ndërtesave dhe lagjeve të banimit në bashkëpronësi.
Ndërkaq, kuorum nuk pati për votimin në parim të projektligjit për tekstet shkollore.
Kuvendi i Kosovës nuk ka pasur kuorum as për votimin e amendamenteve të projektligjit për verërat. Për seancën e ardhshme është shtyrë edhe shqyrtimi i projekt-deklaratës për raportet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. /Sh.Pajaziti/