Kuvendi i Kosovës shumë shpejt do të miratojë një rezolutë për agresionin rus në Ukrainë.
Përmes saj, pritet t’i kërkohet Bashkimit Evropian që të bëhet dallimi ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor që u rreshtuan pro BE-së dhe NATO-s dhe refuzimit të Serbisë. Për harmonizimin e një rezolute të tillë do të vazhdojë koordinimi i grupeve parlamentare në legjislativ.
“Bashkërisht Kuvendi i Kosovës të miratojë një rezolutë në frymën e ngjarjeve që tashmë kanë përfshirë gjithë botën me agresionin rus në Ukrainë dhe unifikimin e BE-së dhe shteteve të NATO-s ndaj këtij agresioni. Të prezantojmë qëndrimin e Kuvendit të unifikuar në një rezolutë të përbashkët, e cila gjithashtu synon të kërkojë nga mekanizmat e BE-së që të bëhet qartë dallimi midis shteteve që u rreshtuan pro vendeve të BE-së dhe NATO-s dhe vendeve që refuzuan të bëjnë një gjë të tillë, siç është Serbia. Pas ngjarjeve në Ukrainë, nuk mund të vazhdohen të trajtohen njëjtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ky dallim duhet të bëhet. Tash ka mbetur në nivelin e shefave të grupeve parlamentare që të koordinohemi për përmbajtjen e kësaj rezolute dhe të jemi unikë në prezantimin dhe votimin e saj”, tha ajo.
Mirëpo, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri kërkoi debat parlamentar në Kuvend për gjendjen e sigurisë në vend. Ai tha se duhet rishikuar strategjia kombëtare e sigurisë dhe fondi për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Krahas këtyre, Kryesia e Kuvendit mori vendim që të ketë dy seanca gjatë kësaj jave. Të enjten do të mbahet seanca e rregullt, ndërsa të shtunën seancë solemne për nder të Epopesë së UÇK-së.
“Gjithashtu u vendos që më 5 mars për nder të fillimit të ditëve të Epopesë së UÇK-së, Kuvendi i Kosovës të mblidhet në seancë solemne me fillim në orën 12:00”, tha Kusari-Lila.