Kuvendi në përfundim të mandatit debaton për punën e qeverisë
Lajme
Lexohet për: 3 min.
1 orë më parë
Linku u kopjua

Pak para përfundimit të mandatit të qeverisë Kurti, deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mbajnë debat parlamentar. Më 2 dhjetor ata do të diskutojnë për punën katër vjeçare të ekzekutivit.  

Kjo seancë, nga opozitarët u konsiderua si e domosdoshme për shpërfaqjen siç thanë “të dështimit të kryeministrit Albin Kurti dhe vartësve të tij”.

Ndërkaq, nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, theksuan se në këtë seancë do të paraqiten “sukseset e ekzekutivit” tashmë gati në një mandat të plotë.

Shefi i Grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi tha se seanca e 2 dhjetorit është më e rëndësishmja në përmbyllje të legjislaturës së tetë të Kuvendit.

Sipas tij, aty do të diskutohen të gjitha veprimet “dëmtuese që qeveria Kurti i ka bërë gjatë mandatit të saj katërvjeçar”.

Mbajtja e kësaj seance është me kërkesë të AAK-së, e cila ka qenë e deponuar në Kuvend qysh nga marsi i këtij viti kur qeveria Kurti i ka bërë tri vjet në pushtet, mirëpo e njëjta është shtyrë me kërkesë të vet kësaj partive.

Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri e konsideroi të nevojshme, siç tha ai shpërfaqjen e një “qeverisje të dështuar që ka dëmtuar vendin në rrafshin e brendshëm dhe atë të jashtëm”.

Krahas kësaj, ai vazhdoi ta quaj të kundërligjshëm Ligjin për buxhetin e vitit 2025, por tha se nuk do ta dërgojnë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

Dy opozitarëve iu kundërpërgjigj shefja e Grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, e cila tha se kjo kërkesë e opozitës është e vjetruar, megjithatë sipas saj kryeministri Kurti dhe mazhoranca në Kuvend janë të gatshëm të “ballafaqohen për punën e tyre në katër vjet qeverisje”.

Krahas kësaj, ajo pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendi  tha se ky institucion do të mbajë edhe dy seanca plenare më 5 dhjetor, ku synohet të miratohen projektligjet që janë në shqyrtim.

Ndër të tjera, në seancën e 5 dhjetorit pritet të shqyrtohet edhe Projektligji për byronë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024