Kuvendi miraton strategjinë për siguri
Lexohet për: 3 min.
277846426_1270604056798330_8023814501799511990_n
2 vite më parë
Linku u kopjua

Kuvendi i Kosovës me 60 vota pro dhe një abstenim miratoi strategjinë për siguri 2022-2027.

Para votimit, kryeministri Albin Kurti gjatë prezantimit të këtij dokumenti, tha se synimi strategjik i Kosovës është anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian si parakushte për sigurinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës.

Kurti, nga foltorja e kuvendit, iu ka bërë edhe njëherë thirrje qytetarëve që të kontribuojnë në fondin për siguri. Ai tha se krahas rritjes se buxhetit dhe krijimit të Fondit të Sigurisë kanë përshpejtuar blerjet ushtarake dhe fuqizimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit.

“Buxhetit të rritur për ushtrinë po i shtohen çdo ditë edhe mjetet e dhuruara nga qytetarë shqiptarë gjithë andej botës në Fondin e Sigurisë. E për këtë do të doja ta shfrytëzoj rastin që nga foltorja e Kuvendit të Kosovës ta falënderoj secilën e secilin që ka kontribuar për Fondin e Sigurisë deri më tani. Gjithashtu, inkurajoj çdo njërin që ka mundësi financiare dhe vullnet patriotik të kontribuojë edhe më tutje në këtë fond të sigurisë. Krahas rritjes se buxhetit dhe krijimit të Fondit të Sigurisë kemi përshpejtuar blerjet ushtarake për fuqizimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit”, tha Kurti.

Ndërsa, partitë opozitare kanë shprehur kritika për këtë draft-strategji të sjellë nga Qeveria në Kuvend.

Deputeti nga PDK-ja, Rashit Qalaj theksoi se kjo strategji ka nevojë të plotësohet.

“Kjo strategji ka nevojë që të plotësohet dhe të merren parasysh kontributet e të gjithë atyre që kanë dhënë komente e që nuk është marrë parasysh asnjë në fazën kur kjo strategji ka qenë në diskutim publik. Strategjia e Sigurisë nuk është strategji e një partie politike, e një individi, por po flasim për vendin”, theksoi ai.

Ndërsa, deputeti nga LDK-ja, Avdullah Hoti tha se kjo strategji për siguri nuk reflekton disa prej ndryshimeve kryesore që kanë ndodhur në rajon dhe në botë.

“Rrethanat e sigurisë që e determinojnë strategjinë e një vendi sa i përket çështjeve të sigurisë kanë ndryshuar rrënjësisht. Edhe duket që ky draft për strategji të sigurisë është përgatitur ndoshta vitin e kaluar ose në muajt e parë të këtij viti dhe nuk i reflekton disa prej ndryshimeve kryesore që kanë ndodhur në rajon dhe në botë, e që duhet të reflektohen në qasjen që kemi ne si shtet për këtë temë”, tha Hoti.

Para votimit, edhe deputeti nga Vetëvendosje, Fatmir Humolli tha se ky dokument duhet të plotësohet për t’i ndihmuar siç tha ai sigurisë së Kosovës.  Ai po ashtu tha se mënyra se si është sjellë ky dokument në kuvend është e gabueshme.

“Mënyra si është ofruar është e gabueshme, dhe nëse vjen si dokument në Komision me kaluar pa debat dhe pa plotësime prej nesh, atëherë pse ne me ngritur dorën me votuar për këtë. Është sjellje nënçmuese dhe për këtë në Komision nuk kam votuar pro këtij dokumenti dhe kam abstenuar”, tha ai.

Pas votimit të kësaj strategjie, Kuvendi ka shkuar në pauzë deri në orën 15:00.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024