Me 85 vota për, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Projektligjin për ratifikim e marrëveshjes kornizë ushtarake mes Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Turqisë. Në këtë seancë po ashtu është miratuar edhe Marrëveshja mes Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për projektin e trajtimit të ujërave të zeza në Ferizaj. Kjo pasi deputetet kanë nënshkruar e dorëzuar një kërkesë për seancë të jashtëzakonshme, që këto dy marrëveshje të trajtohen me urgjencë.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila tha se kjo është bërë me dakordimin e përbashkët me grupet parlamentare.
Ndërkaq, sa i përket marrëveshjes mes Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për projektin e trajtimit të ujërave të zeza në Ferizaj, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia derisa ka bërë prezantimin e projektligjit ka thënë se kjo marrëveshje është për të avancuar zhvillimin e vendit për mjedis të pastër.
Në seancën e sotme deputetët kanë miratuar dhjetë marrëveshje të tjera ndërkombëtare, dy kanë dështuar në miratim dhe një është shtyrë për seancë tjetër.
Sot është miratuar Projektligji për Aderimin e Kosovës në Konventën për Importin e Përkohshëm; Ligji për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Kosovës nga njëra anë dhe Bashkimit Evropian nga ana tjetër për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e bashkimit programi i tregut të vetëm; Ligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit ndërmjet Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin “Projekti për forcimin e qeverisjes digjitale për ofrimin e shërbimeve”.