Mesazhi i Ipeshkvit të Kosovës, imzot Dodë Gjergji për Krishtlindje ishte toleranca, dashuria e respekti ndaj njëri tjetrit duke lënë mënjanë urrejtjen politike, fetare dhe etnike.
Në meshën kryesore për Krishtlindje në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë, imzot Dodë Gjergji theksoi rëndësinë e dashurisë për çdo njeri dhe çdo krijesë. Ai shprehu shqetësimin për luftërat dhe dhimbjet që ato shkaktojnë, duke theksuar se humbja e jetëve njerëzore shpesh konsiderohet vetëm si një numër.
Ipeshkvi i Kosovës, imzot Dodë Gjergji apeloi për reflektim dhe ndërgjegjësim, sidomos për politikën e ndarë dhe për liderët fetarë, duke nxitur një atmosferë paqeje dhe bashkëjetese. Mesazhi i tij u përqendrua në domosdoshmërinë e krijimit të lidhjeve të forta të dashurisë dhe harmonisë, duke e shprehur këtë si një mjet për të ndihmuar shoqërinë të mposhtë urrejtjen dhe të ndjekë një rrugë të paqes.
“Mjaft me nxitje të mos durimit, me përçarje e me fyerje pasi që sot në botë ka mjaft urrejtje. E populli ynë sidomos, vendi ynë, familjet tona dhe çdo njeri mes nesh ka nevojë për dashuri. Prandaj, të bëhemi zëri i paqes. Ne nuk e kemi fuqinë t’i ndalojmë luftërat, por kemi mundësi të sjellim dashuri prindërve të vetmuar ose të braktisur nga fëmijët e tyre. Mund të sjellim pajtim dhe dashuri tek vëllezërit e hidhëruar me njëri-tjetrin, po ashtu te politika e përçarë e te politikanët që kanë nevojë për ndërgjegjësim, pse jo edhe te ne prijësit e feve”, theksoi ai.“Këtë vit po kremtojmë Krishtlindjen e 25-të në liri dhe paqe. Sikur çdo herë edhe në këtë vit në të gjitha sheshet e qyteteve tona e sidomos në Prishtinë besimtarët dhe bashkëqytetarët e vendit tonë po festojnë e kënaqen me njëri-tjetrin. Kjo është një gjë e mirë, pasi varëisht bindjeve, besimeve apo feve, shqiptarët dinë të festojnë së bashku. Por nuk duhet harruar se ne të pagëzuarit që I kemi hapur zemrën Krishtit, e ditëlindjen e të cilit po e festojmë dhe kremtojmë mishërimin e fjalës dhe ardhjen e zotit në historinë e botës dhe në jetën e secilit prej nesh”, tha imozt Dodë Gjergji.
Përveç qytetarëve, në meshë morën pjesë edhe kryeministri i vendit Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.