Më 14 e 15 janar të vitit 1703, në Mërqi, afër Lezhës, u organizua Kuvendi i Arbërit, Koncili i Kishës Katolike në trojet Shqiptare me dëshirën e Papës Klementit XI, Xhanfrançesk Albanit, me prejardhje shqiptare, i cili këtë ngjarje të madhe kishtare e kombëtare ia besoi kryeipeshkvit të asaj kohe të Tivarit, imzot Vinçenc Zmajeviçit.
Është thënë se Kuvendi apo Koncili i Kishës katolike i trojeve shqiptare, u mbledh në një situatë tejet të vështirë: populli shqiptar, këndej të krishterët e në mënyrë të posaçme katolikët, pësonin trysnin e sundimit otoman, që dalëngadalë, por me vendosmëri e në mënyrë sistematike punonte për kalimin e popullsisë shqiptare, e jo vetëm, në fenë islame.
Ndërsa, përsa i përket Kishave, perandoria otomane fillimisht nuk i prishte, por as nuk lejonte që të bëheshin meremetime, apo të ndërtoheshin Kisha të reja, duke e kufizuar e më vonë duke ndaluar jetën dhe veprimtarinë e Kishave shqiptare, e si pasojë erdhi deri te rrënimi i pashmangshëm i sa e sa Kisha e kuvendeve rregulltare – manastireve të krishtera në trojet shqiptare. Përveç aspektit shpirtëror, këndej fetar, luftimi i Kishave nga turqit ishte edhe luftim kundër identitetit etnik dhe orientimit të shqiptarëve drejt kulturës perëndimore evropiane.
Në kushte të këtilla, pra, mblidhej Kuvendi apo Koncili Kishtar Kombëtar Shqiptar në Mërqi, më 14 e 15 janar të vitit 1703, në të dielën e dytë pas Krishtlindjes, në Kishën e shën Gjon Pagëzuesit. Qe pikërisht kryeipeshkvi imzot Zmajeviçi, ai që e mbajti fjalën e hapjes së këtij Koncili vendor kishtar. Në të bie në sy gëzimi dhe shpresa që, pas kaq shekujsh të tiranisë turke, u bë e mundur një mbledhje e tillë.
Kujtojmë se në Kuvendin e Abërit, episkopati katolikë shqiptarë, në njërën anë analizoi aspektet e brendshme kishtare: administrimin e Sakramenteve e kremtimin e riteve liturgjike, lirinë fetare e të kultit, reformën e zakoneve e tjera dhe në anën tjetër gjendjen e popullsisë në realitetin shoqëror, nën sundimin otoman, me të gjitha problemet e rënda që përjetonte çdo ditë, e sidomos me rrezikun e humbjes së identitetit kombëtar e të gjuhës shqipe.
E vendimet e Kuvendit kishtar të Arbërit qenë të rëndësishme pikërisht për rregullimin e brendshëm të jetës dhe veprimtarisë kishtare, për rigjallërimin e fesë dhe në anën tjetër për nxitjen drejtuar popullsisë shqiptare për mbrojtjen e vlerave dhe të identitetit kombëtar, para pushtimit e sundimit shkatërrimtar otoman. Ky Kuvend kishtar, pra, mori në shqyrtim dhe mbrojti dy çështjet më jetike për shqiptarët: identitetin kombëtar e fetar të shqiptarëve.
Imzot Zmajeviçi i përcillte dokumentet me një letër, përmes së cilës shihet qartë se kleri katolik shqiptar i qëndroi pranë në gëzim e në vaj popullit të vet dhe i parapriu rilindjes së tij kombëtare. Me që kanë kaluar pothuajse mbi treqind vjet që kur u shkrua letra, u detyruam ta prekim paksa gjuhën e saj, për ta bërë të kuptueshme për lexuesin:
“Urdhnove, o i Lumtuni Atë, me të vizituem Apostolik, të vërej mbi Kishat e Arbënisë së provinçës seme. Ju binda urdhënit; ju solla dheut; kërkova rruzullimin; pashë plagët e tij. Pashë, – uh, ç’dhimbje, – vu nën haraç atë që dikur kje despoti i Provincjave; (pashë) (Shypninë) Zonjën e gjindëve ndrydhë nën thember, me dhimbje të idhta; shqytin e trimave – shembë; murin e forcës sonë – rrenue! Pashë gjindt, hy në vend shenjt; kishat, të flligta; lterët përlye. Mezi pashë vend ku të mundej populli me u mbledhë në kuvend! Pashë pleqtë tue ulurue; Meshtarët, shërbëtorët e Hyjit, tue gjimue; çobantë, vra; dhentë tretë, tue u shpërnda dy udhëve; murtajën, që pa mëshirë i çoroditëte të gjithë; e plasjen e mortaisun, që trimnohej për të gjanë e për të gjatë.
Nën hije Tande, o i Lumtun Atë, po gëzon dheu Arbënesh e mbas ndërrimit të motit ngrihet, sikur të kishte kenë i mbuluem me njegull, tashti nën papën arbënesh, që latinisht don me thanë i bardhë – e del në dritë, e me zemër të mirë shpejton me mërrijtë përsëri në lumni të shkueme. Mendja e Atit, e cila asht ma e madhe se rrethi i shekullit, i uron me dashtëni të TinZot këtë lumni dheut tonë; për t’iu falë nderës zemrës gazmuese, vijnë si për dhanti në shatorre Apostolike, në katedër të dijes qiellore, Dekretet e Sinodit të Proviçjes Arbëneshe, në mënyrë që, në paçin gabime, të qortohen me fjalë Tande.
Unë, pra, në paça gabue si Prelat Arbënesh, vij te magjisteri i Pjetrit me u qortue; e nuk më vjen marre me i kthye ndryshe fjalët. Nuk kanë kurrfarë vlere veprat tona të errta; asgja nuk vlejnë Dekretet, në se nuk mbështeten mbi Gurin e palëkundun; e si të jenë provue mbi gurin e fortë, të forcohen me profeci të pushtetes sate.
Marrë nga “Concilli i ZÉUT ‘SCCIPNIIS” Bot. III N’Rom, me sctamp T’ Cuvenit S. T’ PROPOGANDS, 1878 – FQ XI
Po radhisim më poshtë klerikët që nënshkruan Konçilin e Parë të Shqipërisë, mbajtur në Merqi në vitin 1703 nën kryesinë e Shkelqësisë së Tij, Imzot Vincenc Zmajeviq, arqipeshkëv i Tivarit:
Imzot Pjeter Karagjiku, arqipeshkëv i emnuem i Shkupit.
Imzot Gjergji, Ipeshkëv i Zadrimës.
Imzot Ndue Babi, ipeshkëv i emnuem i Shkodrës.
Imzot Marin Gjini, ipeshkëv i zgjedhun i Pultit.
Atë Fra Frano Maria a Lycio, Prefekt Apostolik i Misioneve të Maqedonisë.
Atë Fra Martini nga Gjonima (Gjonmi), i pari i Provinçes së Fretënve.
Botimi shqip i punimeve të Kuvendit të Arbënit çmohet porsi i pari botim aktesh kishtare sinodale në gjuhën shqipe, me sa dihet deri më sot. Ato dalin nga një mbledhje e nivelit të lartë sinodal të Kishës për Shqipërinë veriore e të mesme. Në këto akte gjejmë një material shumë të çmueshëm për gjendjen e vështirë ekonomike të shqiptarëve në atë kohë, për gjeografinë, për çështjet e shkollimit, për situatën e lirisë njerëzore e fetare, për të drejtat themelore njerëzore që u mohoheshin sistematikisht e me një tragjedi të mirëmenduar të turqve.
Teksti shqip i Kuvendit të Arbenit është një dëshmi e rëndësishme e 1706-es për historinë e shkrimit të shqipes, e po kështu ka edhe vlera të mëdha për historinë dhe gjuhën e shqiptarëve. (radio vatikani)