Kryeparlamentari Glauk Konjufca priti sot në takim drejtorin ekzekutiv të organizatës Balkan Green Foundation (BGF), Agron Demi, me të cilin nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi për mbështetjen e shërbimeve hulumtuese dhe analitike në Kuvend përmes Drejtorisë së Përgjithshme për Institutin Parlamentar.
Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është krijimi i një platforme bashkëpunimi në hulumtime dhe analiza që ndihmojnë Kuvendin e Kosovës në formulimin e politikave dhe ligjeve që promovojnë zhvillimin e qëndrueshëm.
Balkan Green Foundation gjithashtu do të ndajë informacione dhe njohuri të marra nga hulumtimet dhe fushatat e tyre me Drejtorinë e Përgjithshme dhe organet e Kuvendit, si dhe do të bashkëpunojë në ngritjen e kapaciteteve hulumtuese dhe analitike, në shkëmbim të përvojave dhe në zhvillimin e platformave të diskutimit.
Sipas marrëveshjes, Drejtoria e Përgjithshme për Institutin Parlamentar ndan të dhëna dhe informacione relevante me BGF-në për të lehtësuar hulumtimet dhe analizat, mundëson shpërndarjen e studimeve të BGF-së, si burime të klasifikuara zyrtare mbi politikat e zhvillimit të qëndrueshëm, siguron ndarjen të dhënave për nismat hulumtuese të ndërmarra nga BGF që ndërlidhen me Kuvendin, si dhe ndan ekspertizë dhe burime njerëzore për të mbështetur zbatimin e nismave të përbashkëta.