Kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura e ka quajtur logjikë përjashtuese ndarjen buxhetore të qeverisë nëpër komuna. Ai tha se ndarja e mjeteve i ka penalizuar qytetarët e Skenderajt, derisa shtoi se shpërndarja për investime dhe përkrahje kapitale duhet të jetë e barabartë.
Nura në një intervistë për KosovaPress, tha se falja e tatimit në pronë në vlerë prej 100 eurove, komunës do t’i kushtojë rreth 400 mijë euro më pak. Ai foli edhe për dëmet milionëshe të shkaktuara nga vërshimet, për çka tha se përkrahja e qeverisë do duhej të ishte më e madhe.
Përveç këtyre, Nura potencoi se angazhimi i mjekëve pensionist përmes procedurës së kontratës në vepër, ani pse ishte shkelje e procedurave, ishte bërë me qëllim të mirë.
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura theksoi se dëmet e vërshimeve në total janë 12 milionë e 200 mijë euro, për çka tha se komuna ka ndarë rreth 2 milionë euro nga buxheti vetanak për kompensim. Ai shtoi se bizneset, bujqësia dhe infrastruktura publike, ende nuk janë kompensuar nga niveli qendror.
Ndër të tjera, Nura tregoi se kanë marrë vendim pro faljes së tatimit në pronë në vlerë prej 100 eurove, derisa potencoi se dëmet nga ky vendim mund të arrijnë shifrën afro 400 mijë euro.
Ndërkaq, lidhur me pretendimet se Komuna e Skenderajt, udhëhiqet nga Sami Lushtaku, Nura tha se nuk qëndron diçka e tillë, derisa theksoi se vendimet i merr vetë në mënyrë autonome.
Gjatë intervistës, Nura foli edhe rreth ndërtimit të “Parkut të Biznesit”, për çka tha se pritet që procesi të shkojë përpara, por që po pengohet nga banorët e asaj zone. Për këtë, ai potencoi se janë mbajtur disa dëgjime publike me qytetarët për t’u informuar më detajisht për procesin e punës.
Ndërkaq, sa i përket punës, Nura tha se mbi 65 për qind të premtimeve dhe projekteve që janë premtuar, veçse janë realizuar.
Lajmi i plotë në sistemin me parapagim.