Biznesmeni i suksesshëm zviceran me origjinë nga Gjilani, Nderim Mustafa, po kandidon për herë të parë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit, në listën e Partisë Demokratike të Kosovës me numrin 65.
Mustafa njihet si një nga biznesmenët e suksesshëm në Zvicër, ku posedon disa biznese. Ai thotë se në politikë ka hyrë me përvojën nga biznesi dhe diaspora, me synimin që këtë ekspertizë ta vë në funksion të zhvillimit të Kosovës.
Sipas tij, arsyeja pse vendosi të përfshihet në politikë lidhet me nevojën që njerëzit e aftë të marrin përgjegjësi dhe të mos qëndrojnë anash.
Ai synon të fuqizojë rolin e diasporës, të sjellë përvojën e saj në biznes dhe të inkurajojë investime të reja në Kosovë.
Gjithashtu, Mustafa është shprehur se vendi ka nevojë për institucione me më shumë profesionalizëm, vizion dhe përgjegjësi ndaj qytetarëve.
“T’i arrijmë shtetet e zhvilluara evropiane nuk është utopi. Kjo bëhet me punë, vizion dhe përgjegjësi. Dhe këtë mund ta bëjë vetëm PDK-ja me Bedri Hamzën kryeministër! Me krenari dhe përgjegjësi, shpall kandidaturën time për deputet në Kuvendin e Kosovës nga mërgata shqiptare në Zvicër, në radhet e PDK-së me numrin 65! Jam në këtë garë për ta bërë zërin e mërgatës më të fuqishëm se kurrë. Për një përfaqësim dinjitoz, për më shumë afërsi me diasporën dhe për një Kosovë më të fortë”, tha ai.