Kurti: Vuçiq e Petkoviq janë përgjegjësit kryesorë për trazirat në veri
Lexohet për: 3 min.
Albini Kurti - Votimi (10 of 13)
2 vite më parë
Linku u kopjua

Kryeministri Albin Kurti ka reaguar pas bllokadës së rrugëve nga serbët në veri një ditë para hyrjes në fuqi të reciprocitetit për targat dhe letërnjoftimet e lëshuara nga shteti i Serbisë. Ai në një video-mesazh në Facebook ka thënë se për veprimet agresive që po ndodhin sot përgjegjësit kryesorë janë Vuçiq dhe Petkoviq.

“Po përballemi me nacional-shovinizmin serbomadh që e njohim mirë. Do të punojmë ditë e natë, do të jemi në krye të detyrës, për juve si qytetarë dhe për Republikën tonë demokratike. Dhe, së bashku arrijmë të ngadhënjejë rendi e ligji duke i vendosur ato në çdo cep të vendit”, ka thënë Kurti.

Mesazhi i plotë:

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,

Ende pa filluar lëshimi ynë i dokumenteve të hyrje-daljeve në vendkalimet kufitare me Serbinë, strukturat ilegale serbe në veri filluan me bllokim rrugësh dhe të shtëna armësh. Atyre ju paraprinë deklaratat, takimet dhe mbledhjet e frikës dhe kërcënimit në Beograd dhe në Rashkë. Aty u planifikuan dhe u nxitën këto veprime agresive që po ndodhin sot. (Aleksandar) Vuçiq dhe (Petar) Petkoviq janë përgjegjësit kryesorë për trazirat.

Qeveria e Republikës së Kosovës është demokratike e progresiste, që e do, respekton dhe zbaton ligjin dhe kushtetueshmërinë, paqen dhe sigurinë, për të gjithë qytetarët pa dallim dhe për mbarë vendin tonë të përbashkët. Organet e rendit dhe të sigurisë së shtetit tonë po mbledhin informacion, po mbikëqyrin gjendjen dhe do të veprojnë, në mbrojtje të ligjit dhe të qytetarëve, të sovranitetit dhe integritetit tonë territorial.

Përcillni me vëmendje njoftimet nga qeveria jonë, nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës, dhe, mos lejoni të dezinformoheni nga mediat e Beogradit zyrtar apo edhe ndonjë medie në Kosovë që me vetëdije u shërben atyre apo pa vetëdije bie pre e tyre.

Orët e ditët e javët në vijim mund të jenë sfiduese e problematike. Po përballemi me nacional-shovinizmin serbomadh që e njohim mirë. Do të punojmë ditë e natë, do të jemi në krye të detyrës, për juve si qytetarë dhe për Republikën tonë demokratike. Dhe, së bashku arrijmë të ngadhënjejë rendi e ligji duke i vendosur ato në çdo cep të vendit.

Ju faleminderit për mbështetjen.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025