Derisa pak ditë na ndajnë nga Festivali i Këngës, organizuar për herë të parë në Kosovë, kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, vizituan Sallën e Madhe të Pallatit të Rinisë.
Ai takoi ekipet që po realizojnë punimet për skenën, si dhe po finalizojnë parapërgatitjet për këtë ngjarje të madhe kulturore.
Edicioni i parë i “Fest 2023” në Prishtinë, është bërë i mundur falë një memorandumi bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit me Radio Televizionin e Kosovës.
Në skenën e festivalit do të performojnë 18 artistë të rinj dhe me karrierë, këngë të përzgjedhura nga juria, të vlerësuara për diversitetin e zhanreve të tyre. Tri netët live të Festivalit të Këngës në RTK do të zhvillohen nga data 26 deri 28 tetor, thuhet në një komunikatë për media.