Në 42 vjetorin e vrasjes, kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar tre dëshmorët e kombit që u vranë në një atentat në Gjermani, Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, duke e konsideruar, këtë si “dosje më vete” që tregon për vrasjen politike ndaj shqiptarëve në ekzil.
“Mes atentateve politike në historinë moderne të Kosovës, rasti i tyre paraqet një dosje më vete.
Atentati ndaj Jusuf Gërvallës, Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës u krye 42 vite më parë, më 17 janar 1982.
Sipas Kurtit, ata u vranë ashtu siç ishte organizuar nga shërbimet e fshehta të Serbisë, që kishin bërë përvojë paraprakisht me atentate të ngjashme ndaj ekzilit politik kroat.
Rënia aq e bujshme e Jusufit, Bardhoshit dhe Kadriut si dhe jehona aq e gjatë e këtij atentati, sipas kryeministrit, nuk u përcoll deri në fund nga drejtësia.
“Por, historia e veprimtarisë së tyre politike, pasuar nga veprat letrare të Jusufit dhe këngët e tij me Bardhoshin, sikur edhe profili prej gazetari dhe aktivisti i Kadriut, vetëm sa kanë shkuar duke u bërë më të kristaltë. Nga koha kur janë vrarë më 17 janar 1982 dhe deri sot pas 42 vitesh kur po i kujtojmë, Jusufi, Bardhoshi dhe Kadriu janë kthyer në emra referencialë për të gjithë ata që janë angazhuar dhe kanë luftuar për lirinë e Kosovës. Lavdi Kadri Zekës dhe Jusuf e Bardhosh Gërvallës, për veprat e tyre atdhetare dhe për jetën e dhënë në rrugën për lirinë e Kosovës!”, ka shkruar kryeministri Kurti.