Kjo është arsyeja pse është shtyrë seanca në rastin “KEK2”
Lajme
Lexohet për: 3 min.
kek2
1 ditë më parë
Linku u kopjua

Seanca e shqyrtimit fillestar në rastin ku po akuzohen ish-drejtori i KEK-ut, Nagip Krasniqi, ish-shefi i prokurimit, Ymer Dragusha dhe avokati Isuf Zejna është shtyrë për 7 shkurt.

Gjyqtari i procedurës paraprake, Rrahman Beqiri e shtyu seancën për shkak se nuk është kthyer dëshmia që Dragusha e ka marrë ftesën.

Ai njoftoi se seanca e radhës do të nis në orën 9:30, derisa shtoi se për prezencën e të pandehurit Ymer Dragusha, gjykata i ka në shqyrtim të gjitha veprimet e mundshme, përfshirë edhe lëshimin e fletëarrestit.

“Ka dërguar ftesën për këtë seancë, ndërsa deri më tani fletëdorëzimi nuk është kthyer në gjykatë, për çka gjykata nuk mund të konstatojë nëse është ftuar në mënyrë të rregullt apo jo”, deklaroi ai.

Avokatja e Dragushës, Sabrije Krasniqi tha se nuk ka arritur që të kontaktojë me klientin e saj.

“Prej momentit që e kam marrë ftesën, kam tentuar të vie në kontakt përmes telefonit që unë posedojë numrin e tij, mirëpo nuk ka pasur qasje në telefon”, Krasniqi.

Përndryshe, më 30 dhjetor të vitit 2023, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës njoftuar se ka ngritur aktakuzë në rastin e njohur “KEK”.

Në këtë rast i akuzuar është ish-kryeshefi i KEK-ut Nagip Krasniqi, ish-shefit të prokurimit në KEK, Ymer Dragusha dhe avokatit Isuf Zejna.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamentin Special, në rastin e njohur ‘KEK ‘kundër të pandehurve N.K.,Y.D.,I.Z.”, thuhet në njoftim.

Në njoftim thuhet se të pandehurit akuzohen se gjatë periudhës kohore 2021 – 2023, me veprimet e tyre të kundërligjshme i kanë shkaktuar dëme buxhetit të Kosovës, rreth 37 milionë euro duke kryer veprat penale: “keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar”, “zbulimi i fshehtësisë zyrtare” dhe “ndihmë në keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar”.

Ky rast thuhet se tashmë i ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për procedurë të mëtutjeshme. Kjo është aktakuza e dytë ndaj Krasniqit.

Në aktakuzën tjetër të ngritur për korrupsion Krasniqi është deklaruar i pafajshëm.

Në aktakuzën e parë, ku Krasniqi akuzohet për korrupsion, Prokuroria pretendon se me veprimet e tij shteti është dëmtuar me 531.920 euro tatime, si dhe KEK-u me mbi 3.2 milionë euro, shkaku që është gjobitur nga ZRRE-ja për tregti me ndërmarrje të pa licencuar në Kosovë. /KosovaPress/


Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025