Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka folur rreth rritjes së pagës minimale.
I pyetur nga KosovaPress se kur do të ndodhë një gjë e tillë, i pari i Ekzekutivit tha se së shpejt do të merret vendimi.
Kryeministri ka thënë se synojnë që pagat në sektorin privat të rriten, ndërsa kontratat e punës në sektorin publik të jenë “më atraktive”.
“Punëdhënësi më i madh në Republikën e Kosovës është sektori privat dhe jemi ndër vendet e rralla që i ka pagat më të larta në sektorin publik sesa në sektorin privat. Përgjithësisht në vend të zhvilluar, demokratike perëndimore, në sektorin publik pagat janë për sigurinë që ofron sektori publik e jo për lartësinë e kompensimit, ndërkohë që pagat më të larta janë pikërisht në sektorin privat. Te ne nuk është kështu dhe unë besoj që kjo është një shenjë që tregon se sa i madh duhet të jetë transformimi teknik. Ne duhet të synojmë që pagat në sektorin privat të rriten, ndërkaq kontratat e punës në sektorin publik të jenë atraktive për shkak të kushteve të punës dhe për shkak të sigurisë e kohëzgjatjes të atyre kontratave”, tha Kurti.