Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shprehu mirënjohjen për Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, në pritjen e organizuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Banka Qendrore e Kosovës për përfaqësuesit e lartë nga konstituenca e Kosovës në këto dy institucione.
Në këtë pritje, Kurti ka theksuar përkushtimin e Qeverisë për rritjen e qëndrueshme ekonomike, krijimin e vendeve të punës dhe çrrënjosjen e varfërisë, si shtytësit kryesorë për arritjen e qëllimeve afatgjata.
“Jemi të përkushtuar për zbatimin e reformave që do të përmirësojnë mjedisin tonë të biznesit, do të tërheqin investime të huaja dhe do të nxisin inovacionin. Qeveria jonë është e vendosur të sigurojë transparencë, llogaridhënie dhe qeverisje të mirë në të gjithë sektorët. Duke vepruar kështu, ne synojmë të krijojmë një mjedis që promovon rritjen e sektorit privat, përmirëson kushtet për ndërmarrësi dhe nxitë një ekosistem ku idetë mund të lulëzojnë”, citohet në komunikatën e Qeverisë, kryeministri Kurti.
Ai tha se Kosova është e përkushtuar për të përqafuar burimet e ripërtëritshme të energjisë dhe dekarbonizimin.
Në komunikatën e Qeverisë thuhet se Kurti ka vlerësuar se ky organizim i sontëm është jo vetëm për të festuar qëllimet dhe aspiratat e përbashkëta, por edhe për të krijuar lidhje më të forta që do të nxisin zhvillimin dhe përparimin e qëndrueshëm.
“Më lejoni të shpreh mirënjohjen time për Grupin e Bankës Botërore dhe FMN-në për mbështetjen e tyre të çmuar në rrugëtimin e Kosovës drejt stabilitetit dhe prosperitetit ekonomik. Ne e njohim rolin kritik që luajnë këto institucione në ofrimin e ekspertizës teknike, asistencës financiare dhe këshillave për politikat për vendet që përpiqen për përparim socio-ekonomik, si dhe përparimin shumë të prekshëm që rezulton nga kjo punë”, citohet në komunikatë Kurti.