Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka bërë sot homazhe te memoriali "Heroinat", në Prishtinë. Nga aty, Kurti përkujtoi rreth 20 mijë gra e vajza, por edhe burra e djem të cilët u dhunuan nga forcat serb gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Kurti ka folur për rolin dhe kontributin e gruas në të gjitha proceset historike dhe më gjërë. Po ashtu ka shprehur mirënjohje për Vasfije Krasniqin, e cila iu dha kurajo shumë grave që të ndjekin shembullin e saj dhe të dëshmojnë për krimin e Serbisë.
“Shteti i Republikës së Kosovës, Qeveria jonë është gjithmonë pranë viktimave të mbijetuara gjatë luftës në Kosovë nga dhunimi seksual, dhe me gjithë kapacitetin tonë, me aftësitë, dijet tona, po përpiqemi që t’iu dalim në ndihmë. Në njërën anë t’i inkurajomë rrëfimet për gjenocidin e Serbisë, sepse e vërteta na ndihmon të gjithëve, edhe si individë dhe shoqëri, por gjithashtu në anën tjetër edhe faktorëve ndërkombëtar ua bënë me dije se nuk duhet të harrojnë një luftë e cilat ka ndodhë në jetën tonë, në brezin tonë, pikërisht tash kur po përsëriten shumë prej këtyre imazheve makabër në Ukrainë për shkak të invazionit rus dhe agresionit ushtarak atje”, theksoi Kurti.
Kurti shtoi se ky është një çmim shumë i madh dhe i padrejtë që ka paguar populli i Kosovës.