Zëvendëskryeministri i Republikës së Italisë njëherësh ministër i Jashtëm, Antonio Tajani, gjatë qëndrimit në Kosovë ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Tajani ishte shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes i Italisë, Guido Crosseto.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në ndërtesën e Qeverisë për një takim bilateral, zëvendëskryeministrin e Republikës së Italisë, njëherësh Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, Antonio Tajani dhe ministrin e Mbrojtjes së Republikës së Italisë, Guido Crosetto.
Ai shprehu falënderimin e tij dhe të Republikës së Kosovës për kontributin e hershëm dhe të vazhdueshëm të Italisë në forma të ndryshme përgjatë gjithë fazave të historisë së re të Republikës së Kosovës. I njoftoi me zhvillimet e fundit në vend, performancën ekonomike të vendit, me theks te rritja ekonomike e shënuar në vitin 2021 dhe 2022 dhe trendin pozitiv të eksporteve dhe investimeve të huaja, dhe për reformat në fushën e drejtësisë dhe sundimit të ligjit. Gjithashtu, kryeministri Kurti, nënvizoi planet e Kosovës për aplikimin në Bashkimin Evropian para fundit të këtij viti dhe synimet për të qenë pjesë e programit të Partneritetit për Paqe të NATO-s, si dhe ritheksoi aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës në kuadër orientimin vleror dhe diplomatik të Republikës së Kosovës.
Zëvendëskryeministri, njëherësh Ministri i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, Antonio Tajani, duke falënderuar për mirëpritjen, tha se vizita e delegacionit të Qeverisë italiane sot është shprehje e angazhimit më të fuqishëm të Italisë në Ballkanin Perëndimor. Ai shprehu përkushtimin e Italisë për të kontribuar në zhvillimin, sigurinë dhe stabilitetin në rajon, teksa ministri i Mbrojtjes, Crosetto dha mbështetjen dhe ofroi ndihmën e Italisë për Kosovën në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
Kurti mirëpriti interesimin dhe angazhimin e shtuar të Italisë për rajonin tonë, duke e shprehur edhe gatishmërinë e tij për t’iu përgjigjur pozitivisht një ftese në kuadër të planeve të Romës zyrtare për të ftuar në një organizim të përbashkët liderët e Ballkanit Perëndimor.