Kurti takon përfaqësuesit e dy kompanive franceze për energji të ripërtëritshme
Lexohet për: 3 min.
Albin Kurti1
1 vit më parë
Linku u kopjua

Para fillimit të Forumit të Paqes në Paris, ku në mesin e shumë krerëve të shteteve dhe qeverive po merr pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ai takoi sot përfaqësuesit e kompanive franceze të fushës së energjisë së ripërtëritshme, “Voltalia” dhe “TotalEnergies”.

Ai pati takime të ndara me drejtorin për Zhvillim Ndërkombëtar të “Voltalia”, Gustavo Fernandez, udhëheqës i projekteve ndërkombëtare të kësaj kompanie me bashkëpunëtorë, dhe zëvendës presidentin për Zhvillimin e Biznesi në EuroAzi për “TotalEnergies”, Antonie Garret, me bashkëpunëtorë.

Kryeministri Kurti nënvizoi interesimin e Kosovës për të mirëpritur investitorë të huaj dhe dedikimin e qeverisë për krijimin e një mjedisi sa më të favorshëm për ta.

Ai i njoftoi përfaqësuesit e “Voltalia” dhe “TotalEnergies” me detajet e Strategjisë së Energjisë 2022-2031, me të cilën synohet të shtohen 1.200 MW nga burimet e ripërtëritshme.

Kurti veçoi projektet ekzistuese dhe të ardhshme për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese nga energjia solare dhe e erës, me theks te mundësitë që ofron ankandi aktual për ndërtimin e 100 MW nga energjia solare të shpallur nga Ministria e Ekonomisë, dhe ankandi i ardhshëm i erës me kapacitet deri në 150 MW, i cili pritet të shpallet gjatë vitit të ardhshëm, si dhe foli për investimet e planifikuara të qeverisë në këtë sektor për tre vjetët e ardhshëm.

Ai potencoi edhe përparësitë e Kosovës me ndërtimin dhe instalimin e 170 MW të baterive akumuluese, përmes zbatimit të Programit të Kompaktit në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të përfaqësuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), që do të ndihmojnë në integrimin dhe zhvillimin e kapaciteteve të reja nga burimet e rinovueshme.

Përfaqësuesit e të dy kompanive shprehën mirënjohje për përparimin e Kosovës, përshëndetën edhe mundësitë aktuale dhe të ardhshme të ofruara për investime në sektorin e energjisë së ripërtëritshme dhe procesin profesional dhe transparent. Gjithashtu shprehën gatishmërinë për të vazhduar angazhimin për pjesëmarrje në këto mundësi që ofron Kosova, thuhet në një komunikatë për media.

Kurti thotë se ka interesim të madh për ankandin e parë solar të Kosovës - KosovaPress

Kompani ndërkombëtare të interesuara për ankandin e parë solar në Kosovë - KosovaPress

​ 

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024