Policia e Kosovës ka njoftuar se sot do të përkujdesen për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortave dhe qëndrimit të delegacionit shtetërorë të Shqipërisë në Kosovë.
“Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të organizojë seancë të përbashkët me Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, e cila do të mbahet sot, më 20 dhjetor 2024, në ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Me rastin e seancës së përbashkët, ku pritet të marrin pjesë personalitete të larta shtetërore nga Shqipëria, Policia e Kosovës, sipas detyrës zyrtare, gjatë kësaj vizite do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortave dhe qëndrimit të delegacioneve shtetërore në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Poashtu do të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik.
Sot në ora 11:00, mbahet seanca e përbashkët ndërmjet Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.