Kurti takon Parolin: Vatikani të hapë mision të posaçëm në Kosovë
Lexohet për: 2 min.
27.9.2024 ZKM (2)
3 muaj më parë
Linku u kopjua

Kryeministri Albin Kurti gjatë një takimi në Nju Jork me kardinalin Pietro Parolin, ka kërkuar që Selia e Shenjtë të hapë misionin e saj në Prishtinë, duke ndjekur kështu shembullin e Kosovës me hapjen e misionit të saj në Vatikan.

Kurti ka njoftuar sekretarin e Shtetit të Vatikanit rreth mbështetjes dhe mbrojtjes institucionale që Kosova i ofron objekteve të trashëgimisë kulturore dhe fetare.

Ai gjithashtu foli për përkushtimin e Kosovës për respektimin e të drejtave dhe lirive fetare, dhe për politikat sociale dhe masat e punësimit të qeverisë.

Kurti theksoi se Kosova është vend i të gjithë qytetarëve të saj dhe se në këtë drejtim Qeveria punon në sigurimin e mundësive të barabarta për të gjithë drejt zhvillimit ekonomik të sigurt.

Ndryshe, më herët këtë vit, Prishtina zyrtare ka hapur misionin e posaçëm në Vatikan, vend ky i cili ende nuk ka marrë vendimin për njohjen e shtetit të  Kosovës.

Sipas Ligjit për shërbimin e jashtëm, misioni i posaçëm është një “mision i përkohshëm, që përfaqëson Kosovën në një shtet tjetër ose organizatë ndërkombëtare, me pëlqimin e tyre, për të negociuar ose kryer detyra të posaçme, të cilat janë në interes të Kosovës”. Themelimi, përbërja dhe funksionet e misionit të posaçëm përcaktohen me vendim të presidentit, pas konsultimit me kryeministrin.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025