Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të mërkurën është takuar me nënkryetaren e Mitrovicës së Veriut, Katarina Adançiq, nënkryetaren e Leposaviqit, Marina Bogojeviq dhe nënkryetaren e Zveçanit, Natasha Tomaniq
Kryeministri Kurti ka shkruar në Facebook se nënkryetaret e tri komunave në veri i ka konsultuar mbi nevojat për shërbimet komunale që mund të ushtrohen të bashkërenduara në kuptim të lirisë së asocimit të komunave.
Sipas tij, komunikimi i shpeshtë dhe i rregullt është interesim, kujdes dhe vullnet i dyanshëm për të diskutuar e planifikuar projekte, dhe për adresuar sfida e vështirësi. “U jam mirënjohës nënkryetareve Adançiq, Tomaniq dhe Bogojeviq për punën e tyre të përditshme dhe kurajën për t'i shërbyer publikes dhe qytetarëve”, ka shkruar ai. Në këtë takim kanë marrë pjesë edhe ministrat e kabinetit qeveritar, Nenad Rashiq dhe Elbert Krasniqi.