Për të diskutuar për situatën në vend, raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Procesin e Berlinit dhe çështje tjera aktuale, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti priti në zyrën e tij Emisarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, shoqëruar nga ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde dhe të Dërguarin e posaçëm të Sllovenisë për Ballkanin Perëndimor, Anžej Frangeš, i shoqëruar nga Ambasadorja e Sllovenisë në Kosovë, Minca Benedej?i?. Në këtë takim, përkrah kryeministrit Kurti ishin Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti.
Bëhet e ditur se, Kryeministri Kurti u shpreh se vendimi dhe veprimet e qeverisë janë në shërbim të sundimit të ligjit dhe marrin parasysh brengat e partnerëve ndërkombëtarë për sigurinë dhe paqen. Ndërkaq sa i përket bojkotit të institucioneve nga Lista Serbe, tha se është i nxitur dhe orkestruar nga Beogradi që ka vazhduar qasjen destruktive në marrëdhëniet me Kosovën dhe se është përpjekje për ta mbuluar mosgatishmërinë për diskutime rreth elementeve të marrëveshjes kornizë që çon drejt normalizimin të plotë të raporteve. Në anën tjetër, Republika e Kosovës e ka dëshmuar gatishmërinë dhe konstruktivitetin e saj në këtë proces, shtoi kryeministri Kurti.
Në fund, Kryeministri tha se Qeveria e Republikës së Kosovës është qeveri demokratike dhe e përgjegjshme, e përkushtuar ndaj ligjshmërisë dhe kushtetuetshmërisë, respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut dhe pakicave, barazisë, shërbimit ndaj qytetarëve, paqes dhe sigurisë.