Shënimin e Ditës Botërore të Autizmit, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti e vazhdoi me vizitën në qendrën e Asociacionit Nacional të Autizmit në Kosovë (ANAK).
Sipas një njoftimi të Qeverisë, Kurti aty ka takuar stafin e ANAK, si dhe prindërit e fëmijët që vizitojnë rregullisht këtë qendër.
Kryeministri foli për solidaritetin e qeverisë dhe angazhimin e saj për të hequr stigmatizimin e fëmijëve me autizëm, dhe në të njëjtën kohë për mbështetjen institucionale të personave me aftësi të kufizuara përmes masave të punësimit si ajo 1.6 e Pakos së Ringjalljes Ekonomike, angazhimit të 100 asistentëve për fëmijë në shkolla vitin e kaluar, nismave ligjore dhe mbështetjes financiare për organizata jo-qeveritare.
“Qeveri e Republikës së Kosovës në vazhdimësi angazhohet në krijimin e kushteve të përshtatshme dhe gjithëpërfshirëse në të gjitha fushat e jetës për personat me aftësi të kufizuar”, thuhet në njoftim.