Kryeministri Albin Kurti në seancën e sotme plenare ku po diskutohet për rritjen enorme të çmimeve, iu është kundërpërgjigjur kritikave të deputetëve të opozitës për krizën energjetike, duke thënë se nuk mund ta zgjidhë çështjen e energjisë për dhjetë muaj, çka sipas tij s’ka bërë mirë pushteti i kaluar për 20 vjet.
Madje, Kurti ka akuzuar ish-qeverisjen e LDK-së për refuzimin e projektit për rivitalizimin e TC Kosova A nga kompania gjermane “Bilfinger”.
“E nderuara deputete Bajrami, ju po flisni si votuese e imja që s’ua kam mbajtur premtimet. Program ynë është shumë i gjatë. Prej vitit 2013, ne jemi angazhuar përveçse kemi pasur qëndrim kundër privatizimit të shpërndarjes dhe furnizimit, por gjithashtu edhe për rivitalizimin e “Kosovës A”. Ka qenë një projekt i mirë i ‘Bilfingerit” gjerman, i cili është refuzuar edhe kur ju keni qenë në qeverisje, dhe ja ku jemi sot këtu. Unë nuk kam thënë që do të ulen çmimet e energjisë elektrike në ditën kur do të bëhem kryeministër, por në të kaluarën ka pasur tarifa nxitëse, të cilat e kanë rritur çmimin e energjisë elektrike… Nuk mund ta bëjmë për 10 muaj, çka s’keni bërë ju mirë për 20 vjet, e çka keni bërë keq për 20 vjet, unë s’mundem me ua bërë mirë për 10 muaj. Për besë kisha dashur, por nuk mundem”, tha Kurti.
Bajrami ka akuzuar Kusari-Lila se ka aktakuzë për korrupsion, që sipas saj ai proces ka krijuar monopol për furnizim e që është një ndër shkaktarë e krizës energjetike sot.
Derisa Bajrami ka kërkuar hetim për procesin e privatizimit, është përgjigjur se projekti nga “Bilfinager” është refuzua për shkak se qeveria në atë kohë ka qenë në negociata dhe siç tha ajo ka qenë tenderi i shpallur me kompanitë amerikane për “Kosovën e re”.
Ndaj kësaj deklarate ka reaguar deputetja Mimoza Kusari-Lila, e cila tha se nuk ndihet fajtore për privatizimin e KEDS-it.
“Deputetja Bajrami e ka si hobi, sa herë që ta merr fjalën me përmend aktakuzën, edhe ta përmendë faktin që unë kam qenë shefe e përgjegjëse gjatë gjithë kohës. Për informatën tuaj në qeverisjen sa unë kam mbajtur një post kam qenë anëtare e Komitetit qeveritar në cilësinë e ministres që ti ke pasuar ministre e Tregtisë dhe Industrisë. E kam thënë, po e përsëris, dihet vendim marrja, dihet kush e ka kryesuar atë Komitet dhe dihet mbi çfarë baze është ngritur ajo aktakuzë. Megjithatë, nëse dëshironi krejt të bëmat e mungesës së vendimmarrjeve të 20 vjetëve t’i faturohen në dy vjet e shtatë muaj të kohës time në qeverisjen, sepse veç ajo periudhë ka qenë kur unë kam mbajtur mandat qeveritar. Dy vjet e shtatë muaj, përkundrejt PDK-së 12 vjet, përkundrejt juve (LDK-së) 10 vjet dhe AAK-së 6 vjet. Investimet në sektorin e energjisë bëhen afat gjate nuk bëhen për dhjetë muaj të Qeverisë Kurti”, tha ajo.