Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se shkëmbimet tregtare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë sivjet kanë arritur në nivelin më të lartë ndonjëherë.
Ai në një postim në Facebook ka shkruar se investimet e Shqipërisë në Kosovë gjithashtu janë më të lartat ndonjëherë dhe se në vitin 2019, ato ishin 15.2 milionë euro, derisa në vitin 2022 u pesëfishuan duke arritur në 79.7 milionë euro.
Postimi i plotë:
Dy republika, një komb. Dy vjet e gjysmë, 58 marrëveshje bilaterale, me një qëllim: më shumë përfitime për qytetarët, më shumë për ekonominë.
Krahas lëvizjes nga njëri shtet në tjetrin, lehtësuam edhe qëndrim te njëri dhe tjetri shtet, sepse thjeshtuam procedurat për pajisjen me leje qëndrimi, me afat 5 vjeçar. Hoqëm edhe detyrimin për apostilim të dokumenteve administrative.
Me dy zyra doganore të Republikës së Kosovës në Durrës dhe Porto Romano, fituam qasje në det. Aty bëhet zhdoganimi i të gjitha mallrave me destinacion Kosovën. Kjo u ka ndihmuar drejtpërdrejt bizneseve tona që tashmë kanë kursyer nëntë milionë euro, në të njëjtën kohë që edhe ekonomia e Shqipërisë ka përfituar nga rritje me 50% e dërgesave të Kosovës përmes Portit të Durrësit.
Kemi nënshkruar marrëveshjen për ndërtimin e hekurudhës Durrës-Prishtinë, që është ndër projektet më të mëdha e më të rëndësishme, si në aspektin ekonomik ashtu edhe kombëtar. Ajo do ta lidhë Kosovën me korridoret, që kalojnë pranë nesh, por nuk janë të lidhura me ne. Do t’i bashkojë edhe më fort ekonomitë tona dhe do të rrisë lëvizshmërinë dhe lidhshmërinë ndërmjet republikave tona.
Ndërkohë që krahas unifikimit të abetares për nxënësit e klasës së parë, njësuam edhe procedurat për aplikim dhe regjistrim të studentëve në universitete, si dhe nisëm punën madhore për Enciklopedinë Shqiptare.